Serenata korçare dhe kënga qytetare shkodrane erdhën në një koncert të përbashkët këtë fundjavë në sheshin e pazarit karakteristik të Korçës. Interpretimi i këngëve më të mira korçare dhe atyre shkodrane krijoi atmosferën e një mbrëmjeje magjike.

Një çift këngëtarësh të rinj korçarë interpretuan fillimisht këngët më të njohura të serenatave nga repertori i tyre duke tërhequr në atmosferën e argëtimit të rinj e të reja, qytetarë të moshave më të vjetra që ruajnë nostalgjinë e serenatave, por edhe turistë të ndryshëm.

Më pas u ngjit në skenë grupi A-Groove të rinjve shkodranë qē interpretoi këngët më të njohura qyterare të Shkodrës.

Për disa orë me radhë, të pranishmit e shumtë në sheshin e pazarit kënduan dhe vallëzuan mes tyre duke shoqëruar hareshëm koncertin me serenata e këngë qytetare. Ata përjetuan një natë magjike të këtij koncerti në harmoni me një ambjent e dekor të përshtatshëm mes zjarreve, kulinarisë, dhe arkitekturës së pazarit.

Ky është viti i dytë që organizohet në sheshin e pazarit të vjetër të Korçës koncerti me serenata e këngë qytetare korçare dhe shkodrane, për të evidentiar kulturën e përbashkët muzikore të dy qyteteve me tradita.

/Ora News.tv/