Ish-kryetarja e Dhomave të Tregtisë, Elisabeta Katiaj e ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në RTV Ora është shprehur se në Shqipëri duhen ngritur institucione që promovojë zonat lokale.

Katiaj u shpreh se investimet janë përqendruar në Tiranë dhe në zonat e tjera politikanët shkojnë vetëm për të ngrënë dreka.

Elisabeta Katia: “Ky vend ka nevojë për struktura rajonale që lidhin implementimin e çdo çështje të lidhur me biznesin që nga leja e ndërtimit deri tek licenca në bashkëpunim me pushtetin vendor. Gjëja më e mirë do ishin Këshillat rajonalë në bashkëpunim me prefektura, me bashkitë, me tatimet, me doganat e policinë e shtetit. 

Duhen institucione që promovojnë burimet lokale. Çfarë prone ka një zonë? Si do ta zhvillojmë? Nga këtu lind edhe strategjia e zhvillimit të investimeve kombëtare, nga këtu duhet të lindë. 

Jo të bëhet në Tiranë për gjithë Shqipërinë dhe investimet prapë të mbesin në Tiranë, që fuqia punëtore të vijë në Tiranë, që fuqia e kualifikuar të vijë në Tiranë. Ne shkojmë në zonat e tjera vetëm për të ngrënë drekë aty ku bëhen këto fermat që kanë dalë në modë.”


/Ora News.tv/