Më shumë se 3,000 varre sekrete, që përmbajnë afro 5000 trupa të pajetë, janë gjetur në Meksikë pasi qeveria vendosi trupa  ushtarake brenda vendit për të goditur kartelet e drogës në 2006, zbuloi një raport qeveritar i lëshuar të premten e kaluar.

Brenda 13 viteve, vala e dhunës që i atribuohet bandave të krimit të organizuar në Meksikë ka marrë jetën e më shumë se 250,000 njerëzve. Ekspertët tregojnë se përfshirja e ushtrisë meksikane ka kontribuar në copëzimin e karteleve në banda më të vogla, më të përgjakshme.

"Kjo është hera e parë që qeveria federale ka pranuar ekzistencën e një numri kaq të madh varresh të fshehta," tha Karla Irasema Quintana Osuna, kryetarja e komisionit kombëtar përgjegjës për hetimin e të zhdukurve, e cila prezantoi raportin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë.

Komisioni Kombëtar i Hetimit, misioni i të cilit është të përcaktojë fatin e të paktën 40,000 personave që konsiderohen të zhdukur në Meksikë, njoftoi se u gjetën 3.024 varre masive të fshehta, që përmbajnë të paktën 4,974 kufoma.

Raporti përshkruhet si "historik", pasi është hera e parë që nga viti 2006 që autoritetet kanë lëshuar një panoramë për këtë çështje tejet të dhimbshme.

Ndërsa shifrat po shfaqeshin brenda pallatit presidencial në kryeqytet, të afërmit e viktimave dhe anëtarët e organizatave të të drejtave të njeriut po protestonin jashtë ndërtesës.

"Ku janë fëmijët tanë?" Ata shkruan pankarta dhe flamuj të shumë personave që morën pjesë në mobilizim, së bashku me fotot e të zhdukurve.

Që ku presidenti i ri i qendrës së majtë Andrés Manuel Lopes Obadador mori detyrën më 1 dhjetor, deri me 14 gusht, janë gjetur 522 varre masive të fshehta që përmbajnë të paktën 671 kufoma.

Vetëm 200 prej tyre janë identifikuar dhe 116 u janë dorëzuar familjeve të tyre, sipas të dhënave të komitetit.

Morgjet meksikane janë të tejmbushuara me rreth 26,000 trupa të grumbulluar.

/Ora News.tv/