Kalemaj: Institucionet e reja të drejtësisë nuk bëjnë vetting politikanësh

Kalemaj: Institucionet e reja të drejtësisë nuk bëjnë

Mazhoranca rrëzoi në Kuvend nismën e opozitës për vetting në politikë me argumentin se një proces i tillë do të mundësohet nga organet e reja të drejtësisë.

Por politologu, Ilir Kalemaj, i ftuar në Ora News, thotë se asnjë nga këto institucione nuk janë kompetente për vetting politikanësh.

Kalemaj: Institucionet e reja të drejtësisë nuk bëjnë vetting politikanësh, bëjnë hetim të korrupsionit. SPAK do të hetojë  korrupsionin në nivele të larta të zyrtarëve. BKH nëse krijohet do të merret me pjesën e hetimit procedurial. KLGJ dhe KLP zëvendësojnë KLD ekzistuese. SPAK, prokurori aty nuk do të marrë më urdhra, nuk ka më rrezikun e transferimit nga prokurori i përgjithshëm që kthehet në një rol kancelari.Teorikisht ka më kapacitet, pushtet për të inkriminuar bazuar në indicie, prova dhe fakte cilindo pushtetar të sotëm apo të djeshëm. Por praktikisht mbetet për tu parë. Në Shqipëri ne kemi ndër sistemet elektorale më të sifistikuara në botë, por prapë zgjedhjet duan 6 muaj të numërohen dhe kontestohen.

Lidhur me reformën zgjedhore, Kalemaj është skeptik se ajo do të adresojë probleme në një plan afatgjatë.

Kalemaj: Reforma zgjedhore është thembra e Akilit në një demokraci funksionale dhe pjesmarrëse.A duhet ndryshuar sistemi elektoral që ne kemi apo jo?Ka nevojë parlamenti të ketë më shumë se 7 parti në parlament?Nuk mendoj se kjo reformë do të adresojë këtë gjë, por mendoj se kjo reformë mund të adresojë numërimin elektronik, votën e emigrantëve e cila ka shumë debat. Opozita është thellësisht mosbesuese ndaj qeverisë. Mazhoranca ka disa avantazhe infrastrukturore.Prandaj procesi po zgjat kaq shumë.

Sa i takon bilancit politik të kryeministrit Rama, politologu beson se mund të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar deri në fund të vitit.

Kalemaj: Ka qenë një vit më shumë protesta të rëndësishme, ajo për Teatrin, protesta e banorëve të Astirit, protesta në mbarë qytetet e Shqipërisë në lidhje me problemet sociale, shpronësimet. Kulmoi me protestën e studentëve.E kapën të papërgatitur kryeministrin dhe qeverinë. Dhe siç flitet, kryeministri ndoshta, në ditët e fundit të këtij viti do të arrijë të bëjë një reformim të qeverisë ekzistuese. Mund të ketë reformim të pjesshëm ose të plotë, por duhet parë se kush vjen.

Kalemaj nuk sheh dritë në fund të tunelit lidhur me negociatat dhe kjo sipas tij do të ishte një lajm shumë i keq për të ardhmen e shqiptarëve.

Kalemaj: Kemi 5 vjet e gjysmë dhe nuk ka dritë në fund të horizontit që ne do të hapim negociatat në fund të qershorit të vitit që vjen. Madje sinjalet që po vinë nga Bundestagu, Franca apo vende të tjera, janë që nuk do të hapen fatkeqësisht.Ky është lajm shumë i keq për shqiptarët për të ardhmen. Po flitet se parlamenti i ardhshëm europian do të ketë 60% euroskeptikë. Do të hiqet fare komisioneri për zgjerimin.Mund të ndodhë që Serbia dhe Mali i Zi të futen në BE dhe të mbetet Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova.Shqipëria nuk ka pasur asnjë arsye pse të jetë kaq e vonuar në këtë proces.Mungesa e konsensusit penalizon, kjo është sa për faj të opozitës, akoma më teper për faj të qeverisë. Së dyti na penalizon paaftësia.



EMISIONET