Një pasdite të fundshkurtit 2018, kur përmbledhja e vetme e sprovave të Ismail Kadaresë u botua për herë të parë në Amerikë nga “Restless Books”, nën përkthimin e guximshëm të Ani Kokobobos, s’mund të bëja tjetër veçse të nxitoja për ta bërë timen një kopje elektronike, që për nga natyra ngjan me diçka të ftohtë, të papërkitshme me letërsinë, ndjesi që venitet me nisjen e leximit të këtyre eseve, ku plekset pak nga modestia e titanëve me kryeneçësinë njerëzore.

Tri esetë janë shkruar në harkun kohor 1985–2006, që ashtu si në një trilogji, janë ndërlidhje të një korpusi të vetëm mendimi. E para dhe më e gjata, tek e cila do të ndalemi në shkrimin e sotëm “Eskili, ky humbës i madh”, reflekton mbi fatin tragjik të një dramaturgu, ekzistenca e të cilit është produkt i një efekti amputues të kohës; “Dante i pashmangshëm” mediton mbi udhëtimin identitar të shqiptarit në kontekste të ndryshme kulturore dhe politike; “Hamleti, princi i vështirë” pasqyron një gjenealogji të “dramës së pamundur” shqiptare, si gjakmarrja, që nën opresionin e dilemës hamletiane, fiton një hulumtim më të thellë humanist.

Zgjodha të ndalem tek Eskili, “humbësi i madh”, pasi vetëm kësisoj mund të vendosim drejtësi, si për dramaturgun e lashtësisë, popullariteti i të cilit është i diskutueshëm në ditët tona, pra nevoja e tij për vëmendje është legjitime, gjithashtu edhe për arsye se cilësia e sprovave të Kadaresë është e atillë, sa për secilën prej tyre lipset një shkrim më vete.

Fillimisht është e nevojshme të ndalemi tek etiketimi i tragjedianit si një “humbës i madh”. Kadare shprehet se humbja e tij është e llojit të titanëve, ashtu si dhe thesari i tij; gjithashtu ai thotë se Eskili është dydimensional, në dritë dhe në hije të përjetshme, në një valle mes jetës dhe ferrit internal. Në këtë pikë m’u sollën ndërmend dy fytyrat e Janusit, perëndisë romake, kokat e të cilit shohin nga e ardhmja dhe pa dyshim, nga e shkuara. Vetia e tij transitive e ka një problem: e tashmja për të është e mirëqenë, siç ishte vetë jeta për Eskilin, diçka e dhënë, kalimtare, pasi ai e dinte se i përkiste përjetësisë, ndonëse koha u tregua e sertë me të.

Kadare shprehet se letërsisë botërore i mbeteshin tri mundësi lidhur me Eskilin: letërsia pa Eskilin, letërsia botërore me Eskilin, ajo që njohim, si dhe letërsia e plotë e Eskilit me të nëntëdhjeta tragjeditë, ku doemos Eskili do të cilësohej triumfator. Autori shprehet se njerëzve u mbeti kompromisi, pra një zgjidhje e mesme, një zgjidhje aspak plëngprishëse, komode. Ndoshta ne zotërojmë ajkën e krijimtarisë së tij ose mbase një përzgjedhje selektive, mbi motive të panjohura, sidoqoftë, analiza e Kadare për veprat e mbërritura në ditët tona e ngre autorin në piedestal të ligjërimit estetik bashkëkohor.

Problemet madhore me të cilat shoqëria është përballur në mijëravjeçarë janë esenca tragjike e veprës së Eskilit, të cilën ai vetë e krahasonte me një thërrime nga gostia homerike, thënie e cila për Kadarenë s’është tjetër veçse një idiomë diplomatike, pasi për të Eskili dhe tragjikët e tjerë ishin pjesë e të njëjtit banket arkaik. Modeli është i njëjtë, tradita përsërit veten. Sistemet e besimit që lidhen me të drejtën zakonore, lidhje gjaku, vdekjen, dashurinë e luftën, politikën dhe ndërhyrjen e forcave madhore qëndrojnë në themel të veprës eskiliane, por gjithashtu e afrojnë narrativen e Kadaresë me tragjikët, si një mishërim postmodern i filozofisë së tyre.

Te “Lutëset”, refuzimi i pesëdhjetë vajzave të Danait për t’u martuar me kushërinjtë e afërt, është denoncimi i fenomenit të endogamisë, martesave brenda fisit, një proces me shtrirje të pafundme, vijimësi e shkëputjes së njerëzimit nga poligamia. Derivati i këtij shqetësimi shtrohet në mënyrë unike prej Kadaresë te subjekti i një prej veprave të tij më të famshme, “Kush e solli Doruntinën”. Për Kadarenë, pushtimi i Shqipërisë nga osmanët është një analogji historike e tentativës së persëve për të uzurpuar Greqinë.

Jo më kot, ashtu si dhe në veprën “Persët” të Eskilit, këndvështrimi mbi fatin dhe identitetin e atdheut në romanin “Kështjella” jepet nëpërmjet syve të armikut. Prapambetja lindore që për së pari u pikas nga Eskili, merr trajtën e saj të plotë në veprën me karakter historik të Kadaresë, ku ajo denoncohet si fatkeqësia e një kombi. Natyra e përçare e principatave shqiptare është tejet e ngjashme me konfliktin bazë në veprën “Të shtatë kundër Tebës” të Eskilit, ku si gjithnjë është kërkuar ndihma e një faktori të jashtëm, shpesh të fuqishëm e të paparashikueshëm, sikur shfaqet në mënyrë eksplicite ardhja e turqve të parë në rajon te triptiku “Ura me tri harqe”.

Në dallim nga studiuesit perëndimorë të Homerit, të cilët e lidhin konfliktin Trojën me tradhtinë apo rrëmbimin e Helenës, Kadare e sheh gjenezën e konfliktit të përkthyer qartësisht tek Orestia, në dhunimin e “mikpritjes”, që përbën gurin themelor të kodit të lashtë grek, si dhe të Kanunit të fqinjëve të tyre shqiptarë.

Rrezatimi i letërsisë së lashtë greke në letërsinë botërore është i pamohueshëm, pa të cilën narrativa nuk do të kishte trajtën që ne njohim sot. Eskili, falë gjenisë së tij, i dha botës shumë dhe mori prej saj shumë pak. Jeta e tij njohu shkëlqimin dhe rrënimin, që ashtu si personazhi i tij më i dashur, Prometeu, ai u kthye në disidentin e parë në radhët e njerëzve. Siç thotë dhe Kadare: “Ishte e thënë që drama që nuk u luajt në teatrot e shkretuara, të përjetohej në jetë”.

/Ora News.tv/