U ble me pretendimin se do të zëvendësonte legjendën Alex Del Pieron, pasi kishin disa ngjashmëri por fusha e blertë tregoi tjetër realitet për Federico Bernardeschin. 

Këtë sezon trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri e ka aktivizuar shumë pak 25-vjeçarin pasi ky i fundit nuk e ka bindur plotësisht teknikun toskan. Sarri preferon më shumë Paolo Dybalën dhe Douglas Costën në atë pozicion.Kjo zgjedhje e numrit një të stolit bardhezi ka bërë që e ardhmja e futbollistit të vihet seriozisht në dyshim te “Zonja e Vjetër”. 

Largimi në merkaton e janarit mund të shihet si një opsion për t’u aktivizuar më shumë diku tjetër, pasi edhe ofertat në drejtim të futbollistit nuk mungojnë. Gjithsesi, çdo gjë varet nga vetë  Bernardeschi, i cili, nëse përmirësohet, mund të luajë të gjitha shanset për të qëndruar në Torino. Interes për lojtarin e përfaqësueses italiane ka shfaqur disa skuadra elitare në Evropë si Tottenham, Chelsea dhe Barcelona.

/Ora News.tv/