Edhe pse në opionin e gjerë deklaratat e një dite më parë të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi u lexuan si tërheqje nga ideja e tij për shkëmbime territoresh, nuk mendon kështu Kastriot Myftaraj që përmes një analize në emisionin  "Ju flet Moska" në Rtv Ora News sjell një tjetër lexim ndër rreshta të asaj çfarë tha Kreu i Shtetit të Kosovës.

Myftaraj: Thëniet e djeshme të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në emisionin "Të Paekspozuarit" kanë krijuar përshtypjen dhe janë komentuar gjerësisht sikur ai u tërhoq nga ideja e tij për ndryshimin e kufijve, për shkëmbimin e territoreve që me një eufemizëm e shprehje si korrigjim kufijsh. Por kjo është përshtypje e gabuar, mendim i nxituar.

Presidenti Thaçi nuk bëri ndonjë dorëheqje siç shpejtuan ta quajnë ata të cilët e kanë kritikuar gjatë gjithë kësaj kohe, që nga gushti dhe këtej kur doli për herë të parë me këto ide.

Presidenti Thaçi nuk bëri gjë tjetër vetëm se tha gjëra që nesër mund ti interpretojë ndryshe. Bëri disa deklarata që mund të rilexohen. Dy deklaratat e Thaçit që u quajtën si tërheqje nga ideja e tij e ndryshimeve ishin:

"As Gazivoda, as veriu i Mitrovicës, e as Trepça, në asnjë rrethanë, në asnjë moment, kurrë nuk do të jenë pjesë e ndonjë kompromisi në raport me Serbinë. Është e përmbyllur për mua".

Mos harrojmë se Hashim Thaçi është një negociator me përvojë të madhe.  Unë them dhe koha do ta tregojë se Thaçi nuk hoqi dorë nga idetë e tij por thjesht zbuti pak atë debatin që ishte nxehur shumë.

Për një periudhë prej 5 muajsh e vuri në provë idenë e tij te opinioni publik, priti reagimet, ai dhe ndërkombëtarët mbajtën shënim dhe në fund doli dhe tha që këto që dëgjuat.

Këto nuk ishin deklarata që mbyllin debatin por një fazë të procesit dhe procesi do të vazhdojë.Këtë e ka kuptuar Kryeministri i Kosovës që kërkoi një konferencë ndërkombëtarëe të Kosovës për Kosovën.

Duke nënkuptuar që nëse bëhet kjo aty mund të ketë qëndrime më të ndryshme, Ramush Haradinaj është kundër ndryshimit të kufijve.Por Ramushi e ka hallin që të jetë në tryezë, deri tani ndërkombëtarët po bëjnë punët me Thaçin.

Edhe Ramushi e ka kuptuar se ndryshimi i kufijve do të bëhet mes Kosovës dhe Serbisë sepse Kosova është një shtet pa kufij në raport me Serbinë. Kosova pasi fitoi pavarësinë nga Kosova duhet të fitojë dhe kufijtë.

Edhe po u bë marrëveshje për ndryshimin e kufijve, Hashimi dhe Ramushi do të japin atë që nuk e kanë dhe do të marrin atë që nuk e kanë.


/Ora News.tv/