Ju flet Moska: Luftë në "Vorio- Epir" për përmbysje politike në Athinë?

Ju flet Moska: Luftë në "Vorio- Epir" për

Referuar ngjarjes së fundit në Bularat, ku një minoritar u vra nga forcat RENEA, Kastriot Myftaraj në emisionin e tij "Ju flet Moska" flet për një luftë të mundshme guerile nga ana e Greqisë për Vorio-Epirin për të rrëzuar qeverinë e Athinës. Sipas tij duhet të jemi të përgatitur edhe për këto skenare të palës greke.

Kastriot Myftaraj: Një gjë që nuk mund të mos të bëjë përshtypje në rrjedhën e ngjarjeve të këtij incidenti në Dropull, ku u vra një shtetas shqiptar me kombësi greke, Kostandinos Kocifas është se shteti grek nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta parandaluar ngjarjen, ose incidentin më saktë.

Kur them që shteti grek nuk ka bërë asgjë, këtu kam parasysh që agjencitë ligjzbatuese në Greqi i kanë në vëmendje njerëzit si Kacifas, sepse ky nuk ishte ekstremist kur vinte në Dropull, kishte veprimtari ekstremiste edhe në Greqi, ishte aktivist i Agimit të Artë. Ishte ndër ata njerëz që i ka policia dhe shërbimet e fshehta. Meqë ky do vinte në Shqipëri për të marrë pjesë në një ceremoni, varrezë ushtarake greke, ku përveç policisë greke kanë qenë edhe shërbimet e fshehta ushtarake, të interesuara që kjo ngjarje të shkonte normalisht.

Por, duket se të gjithë kanë qenë në një mendje, policia greke dhe shërbimet e fshehta si ato civile dhe ushtarake që Kacifas të mos pengohej. Çfarë mund të bëhej? Thjesht mund ta ndalonin në kufi dhe mos hynte në Shqipëri, duke e ditur që do vinte për këtë ngjarje.

Kjo do ishte edhe në interes të palës greke sepse duke menduar këtu që mos prishet një ceremoni përkujtimore. Nëse pala greke ka pasur mendime të tjera, prapamendime, këtu çështja ndërlikohet shumë.

Lind pyetje: Duke qenë se kuptohet qartë që Kacifasin e kanë lënë të veprojë, a mos ndoshta ka forca në shtetin grek që janë jashtë kontrollit të rendit kushtetues të qeverisë së Tsiprasit? Këtu kam paraysh shërbimet e fshehta ushtarake, atë estabilishmentin e sigurisë, policinë, estabilishmentin ushtarak në përgjithësi.

Ky lloj estabilishmenti policor-ushtarak i sigurisë greke nuk është gjë për tu fshehur që nuk e do qeverinë e Tsipras, e quan qeveri të komunistëve. Këtyre do tu pëlqente që kjo qeveri të rrëzohej në zgjedhjet e ardhshme në 2019. Në vendet e NATO-s, SHBA ka ndërhyrë që estabilishmenti mos jetë me bindje majtas.

Në Greqi mbahen zgjedhjet dhe Tsipras po luan duke thënë që nuk ka bërë dot politikë të majtë në mandatin e parë, por tani që shpëtoi nga ato borxhet, do të bëjë vërtet politikë të majtë, madje po kërkon edhe votat e partive të majta jashtë koalicionit, për të mbetur përsëri në pushtet.  

Duke qenë se sistemi elektoral në Greqi është i tillë që partia e parë merr dhe një bonus votash, atëherë me shumë mundësi që Tsiprasi të mbetet partia e parë, gjë të cilën estabilishmenti i sigurisë së vendit policor-ushtarak do përpiqet ta sabotojë.

Për ta sabotuar këtë, nuk është çudi që këta njerëz të shkaktojnë një luftë në atë që e quajnë Vorio-Epir. Një lloj lufte etnike në atë zonën minoritare, në Dropull, ndoshta dhe në Himarë që ata e quajnë greke. Një luftë kjo sipas modelit të luftrave ballkanike, të ndërhyrjes së Serbisë në Bosnjë dhe Kroaci, por edhe sipas modelit të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Greqia sado shtet i varfëruar nga kriza përsëri është një shtet i fuqishëm që nuk e ka për gjë të mobilizojnë një forcë prej 1500-2000 vetësh, si një lloj ushtrie për çlirimin e Vorio-Epirit dhe ta hedhin këtë në një luftë.

Bëhet fjalë për një zonë rreth 2 mijë metra katërore. Dikush mund të thotë që nuk ka mundësi të ndodhë. Mirë do ishte të mos ndodhte, por analizat kështu bëhen. Analizat bëhen me skenarë, jo të befasohemi nëse ndodh.

Qëllimi i analizës është të shqyrtojë raste të ndryshme.

Nëse ndodh do jemi në një situatë shumë delikate. Shqipëria sot që po flasim ka një ushtri prej 8500 vetësh, por si vlerë luftuese kemi vetëm një grup luftimi të përbërë nga 1 mijë vetë. Ndërsa po ti "shtrydhësh" forcat policore prej 11 mijë vetësh, dalin 1 mijë e ca që mund të jenë të afta për luftë dhe diçka nga Garda, mund të kemi 2500 vetë për një luftë kundër guerile. Këtu duhet të kemi parasysh që për ta fituar atë, forcat kundërguerile duhet të jenë disa herë më shumë se kundërshtari. Në rastin e Shqipërisë nuk është e mundur.

Çdo gjë mund të ndodhë, unë nuk them se do ndodhë kështu, por duhet të jemi të përgatitur edhe për këto skenare, sepse grekët që po i lejojnë këto situata ndoshta i kanë dhe këto plane.


EMISIONET