Në emisionin e tij "Ju Flet Moska" Kastriot Myftaraj ka trajtuar çështjen e kthimit të Alvin Berishës, nga kampi Al-Hol në Siri. Myftaraj është ndalur tek pritja që i është bërë vogëlushit. Sipas tij, ajo që të bën përshtypje në këtë pritje është mungesa e një flamuri shqiptar nga ana e familjes Berisha.

Myftaraj: Historia e Alvin Berishës që u nxor nga kampi i ISIS në Siri, do të harrohet shpejt. Është një kapitull i mbyllur. Por ka disa anë që nuk duhen harruar. 

Këtu do veçoja dy episode që kanë të bëjnë me pritjen që iu bë Alvin Berishës nga familjarët në Itali dhe më herët në Bejrut nga të dërguarit e shtetit shqiptar.

Historia e Alvinit tërhoqi vëmendjen e mediave në botë. Nga mënyra si do ta priste familja Alvinin, familja do shprehtë të vërtetën e saj. Familja kishte rastin të tregonte para Italisë që e ka strehuar, para shqiptarëve të vërtetën e saj.

Shteti shqiptar u mundua që ta vinte në vend nderin e kësaj familje për shkak se kishte të bënte me dinjitetin e Shqipërisë. Megjithë kritikat që iu bënë Sandër Lleshit unë them se mirë bëri që shkoi në Bejrut.

Ministri Sandër Lleshi u mundua që me një flamur shqiptar ta mbulonte anën e keqe të kësaj historie për botë. Dmth, ja kush jemi ne shqiptarët, kemi një flamur që iu përket luftërave kundër ekstremizmit.

Por, si do ta priste familja. Ishte dashur që edhe familja e Alvinit për të vënë nderin në vend të kishte një simbol kombëtar.

Ajo që të bën përshtypje është se familja nuk ka asnjë simbol shqiptar. Ndoshta dhe një flamur italian duhet ta kishin përveç atij shqiptar. I vetmi simbol ishte gjysmë hëna në kapelen e Alvinit. Me këtë kjo familje tregon se nuk e ka vetëdijen kombëtare. Është një familje me prejardhje të ardhura nga Kosova në Shqipëri.

Nuk i është rrënjosur simbolika kombëtare. Sado u përpeq ministri të krijonte një atmosferë me simbolika kombëtare u përgënjeshtrua nga familja në Romë. Kemi të bëjmë me një histori që flet shumë. Mungesa e ndjenjave kombëtare përbën shkakun e vërtetë të radikalizmit të tyre. Ndjenjat kombëtare janë si imunitet, atyre u mungon ky imunitet.

/Ora News.tv/