"Ju flet Moska": Arsyet e duelit të presidentit me gjeneralin Sandër Lleshi

"Ju flet Moska": Arsyet e duelit të presidentit me gjeneralin

Mos dekretimi ende nga ana e presidentit Meta i ministrit të ri të Brendshëm të emëruar nga kryeministri Rama ishte në qendër të analizës së Kastriot Myftarajt në emisionin "Ju flet Moska". Myftaraj solli shembullin e vetë Presidentit, i cili në kohën e zgjedhjeve edhe pse u votua President bënte fushatë për LSI.

Myftaraj: Ka një përplasje të qartë mes Presidentit Meta dhe kryeministrit Rama për shkak të ministrit të emëruar të ri të Punëve të Brendshme, gjeneral Sandër Lleshit. Presidenti ende nuk është shprehur me dekret, ka thënë se do të shprehet nesër paradite.

Në këtë histori ka diçka të çuditshme, sepse çështjet ku kapet Presidenti i Republikës janë të interpretueshme dhe duket sikur nuk përbëjnë arsyen e vërtetë, për të cilën presidenti po e bllokon emërimin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Them kështu sepse Presidenti i ka kërkuar ministrisë së Mbrojtjes një sqarim, mbi atë nëse kandidati për ministër i Punëve të Brendshme është ushtruesi i ndonjë detyre tjetër shtetërore. Presidenti nuk e ka specifikuar për çfarë e ka fjalën në këtë kërkesë. Dihet se gjeneral Sandër Lleshi ka pasur një problem me paraardhësin e zotit Meta.  Është liruar nga detyra si gjeneral, ka bërë një gjyq, ka marrë të drejtën të rimbursojë pagat e prapambetura.

Por kjo nuk do të thotë se ai është në shërbim aktiv. Në çdo rast, në mos në lirim është në rezervë. Tani çështja është se edhe sikur, siç thotë Presidenti ky zotëri, Sandër Lleshi të jetë në ndonjë detyrë që është e pajtueshme me detyrën e këshilltarit të kryeministrit, por e papajtueshme me detyrën e ministrit.  Pyetja është cilat janë motivat e vërteta të Presidentit, se nuk janë ato të dukshme. Presidenti Meta përgjithësisht edhe pas ndarjes së LSI nga PS në 2017 nuk është se ka krijuar probleme për ish-aleatin e vet, sa i përket dekretimit të ministrave.

Duke filluar që nga emërimi i qeverisë së re, por edhe në disa ndryshime që ka bërë Rama, nuk ka pasur problem me dekretimin siç duhet të jetë rasti i fundit.

Nëse Presidenti Meta po kërkon të tregojë një lloj kundërvënie institucionale ndaj qeverisë, ndaj Ramës, pra kërkon të tregojë forcë institucionale nuk do ta pranojë, do shfrytëzojë një nga ato dy mundësitë kushtetuese që ka, për tu shprehur brenda ditës së 7. Por zgjedhja është e pavënd, qoftë edhe për shkakun se Presidenti Meta në karrierën e tij si kryeministër në 2000 ka pasur një precedent të shkarkimit të dy ministrave katolikë brenda një dite. Çështja kishte të bënte me mbrojtjen e interesave të kompanive greke të naftës. Këta dy ministra donin të njiheshin me dosjet e këtyre monopoleve greke që ekzistonin në atë kohë në karburantet shqiptare. Është fjala për Preç Zogajn dhe Zef Preçin.

Presidenti Meta në kohën që ka qenë kryetar i LSI dhe ka qenë në koalicion qoftë me PD 2009-2013, qoftë me PS 2013-2017 dhe gjatë kësaj kohe emëroi shumë ministra, koiçidoi që mos emërojë asnjë ministër katolik të LSI.

Fakti që gjen rastin për një përplasje të tillë, duke shënjestruar një ministër katolik, të parin në fakt ministër katolik të Punëve të Brendshme të Shqipërisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Atëherë zgjedhja e Presidentit për ta bërë këtë betejë me këtë individ më duket e pavënd. 

Kur kemi një veprim të tillë të presidentit, të pajustifikueshëm me ato që thotë ai. A kryen një detyrë tjetër? Por, nëse kryen një detyrë tjetër nuk i takon Presidentit. Në momentin që ky do marrë detyrën e ministrit, në atë moment do lerë detyrat.

Ne kemi shembullin e vetë Presidentit Meta, i cili në 2017 u votua President dhe vazhdoi të bënte punën e kryetarit të LSI në fushatë, me shumë ashpërsi dhe me eskortë presidenciale. E bëri këtë punë me arsyetimin se detyra si president i fillonte kur të bënte betimin, a nuk vlen e njëjta gje dhe për ministrin?!


EMISIONET