Johnson sfidon opozitën: Të shkojmë në zgjedhje, opozita të paraqesë mocion

Johnson sfidon opozitën: Të shkojmë në zgjedhje, opozita

Opozita në Britaninë e Madhe nuk mendon të paraqesë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit Boris Xhonson, me gjithë insistimin e këtij të fundit. Xhonson ndërkaq ka kritikuar Gjykatën e Lartë të vendit për ndërhyrje politike.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson, ka sfiduar opozitën për një mocion mosbesimi kundër qeverisë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

Duke folur të mërkurën në parlament, pasi e kishte pezulluar njëanshmërisht për dy javë, kreu i ekzekutivit komentoi edhe vendimin e Gjykatës së Lartë të vendit, për vazhdimin e debatit parlamentar rreth Brexit.

"Gjykata bëri gabim që u shpreh për një temë që në thelb është politike dhe që ndez polemika. Njerëzit në shtëpi e dinë se parlamenti do ta vonojë daljen tonë nga BE-ja dhe se opozita po saboton negociatat pasi nuk do marrëveshje," u shpreh Xhonson.

Idenë e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, laburisti Xheremi Korbin u përgjigj se do e mbështeste nëse më parë votohet shtyrja e procesit Brexit pas datës 31 tetor.

Xhonson ngulmoi se konkluzioni i referendumit të tri viteve më parë do të respektohet me çdo çmim.

Nga Brukseli, negociatori Mishel Barnie tha të enjten se ende nuk kanë marrë propozime nga qeveria britanike se si do zgjidhet ngërçi rreth Brexit dhe problematika e kufirit me Irlandën.

Ndërkohë që afron samiti i rëndësishëm i 17 tetorit me liderët e tjerë europianë kreu i opozitës ka nisur konsultimet me kolegët e tjerë parlamentarë për të koordinuar taktikat politike kundër kryeministrit.



EMISIONET