Një 31 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pas kontrollit automjetit të tij që udhëtonte nga Taranto në drejtim të qytetit të Massafrës (TA).

Patrulla e policisë me ndihmën e një qeni antidrogë, pas kontrollit të mjetit të shqiptarit me iniciale M.A, pikasi praninë e lëndës narkotike.

Kjo bëri që mjeti t'i nënshtrohej një kontrolli të imtësishëm ku u gjetën 8 pako të mbështjella me letër celofon me një peshë totale prej 4 kg e 200 gram heroinë, e fshehur me mjeshtëri në ndarjen që normalisht përdoret për të fshehur airbag-un.

Më pas, kërkimet u zgjeruan në vendbanimin e shqiptarit në provincën e Foggias, ku u gjetën pajisjet e nevojshme për prerjen e substancës narkotike si dhe materiale të tjera për paketimin e drogës.

Duke pasur parasysh rolin e tij jo thjesht ndërlidhës, hetimet janë zgjeruar për të identifikuar bashkëpunëtorët e mundshëm ose vendet e përdorura për të fshehur lëndën narkotike.

Nëpërmjet kamerave të sigurisë të vendosura në afërsi të shtëpisë së tij, u konstatua një garazh, brenda të cilit u gjetën pako të shumta heroine të pa "prera" rreth 18 kg, si dhe 90 kg substanca të ndryshme prerëse.

Shqiptari u arrestua për trafikun e paligjshëm të drogës dhe u dërgua në burgun e Tarantos.

Përveç pajisjes së përpunimit dhe substancës së drogës, u konfiskua edhe automjeti u nënshtrua.

/S.Ll/



/Ora News.tv/