Promovohet libri i parë në llojin e vet me dëshmi reale sipas raporteve të sigurimit të shtetit që sollën dënimin e artistit Maks Velo. "Jetë paralele" është titulluar vepra që sipas redaktores sjell në ditën e botimit 106 dokumente të kohës së komunizmit. Maks Velo i emocionuar kujton se shkak për dënimin e tij u bën miqtë e tij më të afërt ndërsa kërkon vetting edhe për artistët e sotëm. Velo kundërshton edhe shembjen e teatrit.

“Jetë paralele” është libri i cili sjell për lexuesit 106 dokumenta të kohës së komunizmit që sollën hetimin, dënimin dhe më pas burgosjen e Maks Velos.

Drejtorja e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve e cilëson një kurajo të madhe botimin e këtyre dokumentave.

Genta Sula: Ata nuk kanë qenë dashamirës me ju, ju e dini vetë dhe ne e lexojmë në dokument, është kurajo e madhe që ju të përballeni dhe ti ofroni publikut këtë histori.

Artisti i njohur nuk i përmban emocionet ndërsa kujton se ata që e denoncuan ishin miqtë dhe shokët e tij të afërt.

Maks Velo: Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve ka qenë një tmerr dhe kur e thoja këtë gjë mua të gjithë më dilnin kundër. Dhe tani kur lexon librin e kupton se kjo është e vërtetë. Unë mendoja se kisha shokë, kisha artistë, ata ishin përbindësha. Unë vajta të ngushëlloj Safon se i kishin arrestuar djalin, ajo raporton tek Sigurimi.

Velo apelon që vetting të bëhet edhe për artistët pasi sipas tij kohët nuk kanë ndryshuar shumë nga koha e regjimit komunist. Ndërsa kundërshton ashpër shembjen e Teatrit Kombëtar.

Maks Velo: Duhet bërë veting për artistët sepse vjedhin pa turp. Ja dhe kjo puna e Teatrit. Korrupsion më të pastër në mes të kryeqytetit, në mes të Europës, të ndërtosh kulla në këtë mënyrë.

Në libër janë botuar dhe disa nga 249 pikturat e Maks Velos të konfiskuara dhe më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës në atë kohë.





/Ora News.tv/