Partia Demokratike në Itali pritet të propozojë një mocion mosbesimi kundër ministrit të Brendshëm, Mateo Salvini.

Qëndrimi u bë i ditur të mërkurën kur Salvini refuzoi t'i përgjigjej interpelancës së thirrur në lidhje me akuzat se partia e tij, Lidhja, ka marrë financime nga Rusia.

Zëvendëskryeministri italian caktoi eprorin, Xhuzepe Konte, që t'i adresohej parlamentit, por aleatët e qeverisë nga "Lëvizja 5 Yjet" nuk e pritën mirë, dhe u larguan në shenjë proteste përpara se ai të merrte fjalën.

Ky i fundit deklaroi se kishte besim të plotë te ministri i vet dhe se qeveria nuk është e ndërvarur nga Rusia.

Conte: "Politika jonë e jashtme nuk kushtëzohet nga raportet që forca individuale politike kultivojnë në nivel dy- ose shumëpalësh me aktorë të jashtëm. Ndërsa pozicioni ynë rreth Rusisë, në veçanti, lidhet me interesat kombëtarë, duke marrë parasysh edhe anëtarësinë tonë në NATO dhe Bashkimin Europian."

Skandali për financimet ruse u raportua nga mediet vendëse rreth 2 javë më parë.

Gazetarët zbuluan se zyrtarë të partisë "Lidhja" kishin biseduar me persona të paidentifikuar në Moskë që operatori italian i energjisë të furnizohej me rreth 58 milionë euro naftë me çmim të ulët nga një kompani ruse, dhe diferenca do i shkonte financave të partisë.

Kontaktet mendohet se u vendosën nga një bashkëpunëtor i ngushtë i Salvinit, Xhanluka Savoini.

Vetë ministri i Brendshëm i ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa për çështjen ka nisur një hetim zyrtar.

/Ora News.tv/