• DUA TË KOPJOJ GUARDIOLËN
  • KLUBET NUK I TREGOJNË SEKRETET PROFESIONALE NË INTERNET
  • ECI ME SHPEJTËSI, POLICAT MË TOLEROJNË
  • DAJA TRAJNER DO T’I THOSHTE DAJËS LOJTAR PUNO MË SHUMË
  • NË FUSHË DUHET BËRTITUR, NDRYSHE NUK I MOTIVON DOT LOJTARËT
  • MUZAKA I THOTË DAJËS: DO ISHE BËRË MJEK OSE PSIKOLOG.

Trajneri i suksesshëm Ilir Daja në një intervistë eksluzive për RTV Ora thotë që pëlqen Pep Guardiolën, por edhe Jurgen Klop.

Për këtë të dytin, Daja thekson se adhuron mënyra e spostimit të lojës te porta kundështare.

“Më pëlqen mënyra se si menaxhon Guardiola ekipet nga ana teknike dhe taktike, dhe shpesh herë mundohem të mësoj prej tij dhe t’i zbatoj te ekipet e mia”. 

I pyetur për sa i përket informacionit në internet, 53-vjerçari tregon se jo të gjitha gjërat mund t’i marrësh aty.

“Klubet janë të kujdesshme që gjërat profesionale të mos i nxjerrin në rrjet. Por t’i mund të kuptosh në konferencat për shtyp fjalitë e trajnerit, për të kapur sensin se ku ai do që të dalë. Unë dua të studioj këto ekipe. Jam munduar në mënyrë personale me njohje shumë të thella të marr ndonjë dvd të ekipeve të mëdha në Europë, por kjo është shumë e vështirë”.

Daja trajner flet për Dajën lojtar...

“Unë nuk është se kam patur ndonjë karrierë të gjatë si lojtar, por kam luajtur me Dinamon kampione dhe kam qenë në formacion deri në momentin që u dëmtova. Si trajner do t’i kërkoja Dajës futbollist të përpiqej më shumë dhe të bënte maksimumin për të qëndruar në formacion. Ta meritonte fanellën”.

I pyetur se çfarë profesioni do të kishte nëse nuk do të merrej me futboll, Daja tregon një bisedë interesante me futbollistin me eksperiencë Gjergji Muzaka.

“Profesor t’i do të ishe bërë mjek ose psikolog. Dhe e treta prap me futboll do të ishe marrë. Këto që tha Muzaka unë i aprovova. 

Çfarë marrëdhëniesh ke me lojtarët?

Marrëdhëniet e mia janë të ndryshme me lojtarët. Ndryshe në fushë dhe ndryshe jashtë saj. Shpesh herë ngre tonet, sepse në 8 mijë metra katrorë duhet të bërtasësh. Në auditor duhet të flasësh me një ton tjetër, në intervistë ndryshe. Po të flasësh në fushë me ton të ulët, përcjellja e mesazhit nuk është ajo e duhura. Ti kërkon t’i motivosh lojtarët, por me ton të ulët i vendos në gjumë. Trajneri duhet të jetë edhe psikolog”. 

Cili është hobi juaj?

“Më pëlqen të luajë tenis, por që pas dëmtimit në gju nuk e kam aplikuar më. Gjithashtu dëgjoj muzikë, i preferoj të gjitha rrymat. Dëshiroj të shëtis, sidomos t’i jap makinës vetë. E teproj pak me shpejtësinë, por nga njohja që kam me policët më tolerojnë. Kjo vjen edhe prej tipit tim, sepse i lë gjërat për në fund dhe më duhet të nxitojë”.

/Ora News.tv/