"KÇK-ja është grupi më i madh kriminal në Shqipëri"- tha kryeministri Edi Rama ditën e djeshme në seancën plenare.

Një ditë pas deklaratës së shefit të qeverisë, i cili i quajti një pjesë të gjyqtarëve dhe prokurorëve  "KÇK" ka ardhur dhe reagimi i trupës gjyqësore. Unioni i gjyqtarëve i cilëson qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, si artikulime që jo vetëm nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale, por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

"Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit",- thuhet në deklaratën e tyre.

Gjyqtarët i kërkojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ndërkombëtarëve të reagojnë për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet e shfaqura kohët e fundit.

/Ora News.tv/