“Policët” vjedhin “skifterin” në Kurbin

“Policët” vjedhin “skifterin” në Kurbin

Një familje u grabit në Fushë Milot me një skenar filmash, ku autorët u paraqitën në banesën e Taf Shabanit si efektivë policie.

Autorët kanë qenë të paktën tre persona dhe kanë hyrë në banesë në kohën kur aty ndodhej vetëm e zonja e shtëpisë.

Me maska në kokë por pa armë, ata i kanë thënë se ishin policë nga Tirana në kërkim të djalit, Xhevahir Shabani për të cilin i kanë thënë se është arratisur nga burgu në Itali.

Hume Shabani: “Hapën derën dhe më thanë ku e ke djalin. I thashë çfarë djali? Më thanë që djali ka braktisur burgun, nuk e ke parë lajmin në televizor. Më pyetën ku e ke futur, ku e ke fshehur. I thashë djali nuk ka ardhur. Më erdhën pas në dhoma duke kërkuar një armë të djalit, i thashë nuk di gjë që ka armë.”

Të paktën dy prej autorëve më pas janë ngjitur në katin e dytë ku në dhomën e djalit të familjes kanë gjetur kasafortën në mur të cilën e kanë hapur me forcë.

Aty kanë marrë para, dokumente dhe sende të tjera me vlerë. Hume Shabani thotë se një moment njëri prej tyre e hoqi maskën, por ajo nuk arriti ta identifikojë sepse ka probleme me shikimin.

Gruaja ka kuptuar se po grabitej por thonë se ishte në pamundësi për të dhënë alarmin, pasi kishte frikën se mos dhunohej.

Hume Shabani: “Të gjitha dyert ishin të hapura, vetëm njëra ishte e mbyllur dhe e thyen me shkelm. Morën çfarë kanë gjetur, letrat e shtëpisë, çfarë kishte në kasafortë. Isha vetëm kur erdhën. I thashë si vini pa një kryetar komune, nga Tirana ku e gjetët shtëpinë time. Nuk më dhunuan. Njëri i vogli më njihte, më tha mos u tremb. Hoqi maskën, më tha mos u tremb, dhe e vuri përsëri. Por nuk shoh mirë se jam operuar dy herë. Ishte ora 16:30-15:00 e pasditen së djeshme. Kur kuptova se ishin hajdutë më morën telefonin. Nuk e di a kishin armë me vete. Por nuk luajta sepse mendova mos më bëjnë gjë. Pasi u larguan dola lajmërova bashkëshortin. Erdhi policia. Djali Xhevahir Shabani ndodhet në burg prej 1 viti e gjysmë e më thanë që ishte arratis."

Kryefamiljari Taf Shabani pretendon se shuma e grabitur shkon në rreth 300 mijë euro, kursime të punës së fëmijëve.

Taf Shabani: “300 mijë euro kanë grabitur. I kanë sjellë fëmijët.”

Policia e Lezhës thotë se ka shoqëruar disa persona, por ende nuk ka një person të arrestuar si autor i grabitjes.

Dyshimet janë se autorët mund të kenë qenë në dijeni të shumës së parave që ndodheshin në banesën e familjes Shabani.

Ndërkohë Xhevahir Shabani, djali i familjes së grabitur është i arrestuar në Itali për vjedhje, ndërsa në vitin 2015 atij i kanë bërë një atentat me armë zjarri në Tiranë, vetëm dy ditë pasi ishte kthyer nga Italia.

LEXO: Tentativë vrasjeje në Tiranë, plumba makinës në “Hoxha Tahsin”, 1 i plagosur



EMISIONET