Historitë e ekselentëve në bankat e shkollës. MASR: Buxhet 482 milion lekë

Historitë e ekselentëve në bankat e shkollës. MASR: Buxhet

La bankat e shkollës në qytetin e lindjes në Vlorë për të nisur sfidën në një nga kolegjet më të mira në Tiranë. Safet Hoxha është nxënës ekselent në matematikë. Është nga ato historitë e suksesit që gjejmë në bankat e shkollës; me shumë përpjekje mund por edhe me rezultate të përkthyera me çmime dhe olimpiada të fituara nga ai. Dashuria për matematikën është injektuar nga familja.

Safet Hoxha: Lidhja ime me matematikën ka filluar që në moshë shumë të vogël, pasi babai im ka qenë mësues matematike. Në fillim ishte një nxitje e atij, por duke u rritur me matematikën, filloi të më lindte dëshira dhe pasioni për të punuar vetë.

Nga konkurset e para të fituara në vendin e lindjes, Safeti ka ngritur në duar medalje edhe në Brazil duke u shpërblyer për arritjet e tij por edhe duke përfaqësuar vendit tonë.

Safet Hoxha: Arritja e parë në Matematikë ka qenë në klasë të dytë në 'Olimpiadën e Udhës së Shkronjave' ku kam fituar vendin e parë në rang kombëtar dhe aty ishte si stimulim që unë të vazhdoja të puna dhe mora pjesë në olimpiadën ballkanike, gjithashtu dhe në botëror që u organizua këtë verë. Botërori u organizua në Brazil dhe u ktheva me medalje nderi.

Kjo është një ditë e zakonshme mësimi për Aron Ligorin dhe Keida Tahirin. Dy gjimnazistë të tjerë të suksesshme në Tiranë.

Keida e gjen veten në profilin social ndërsa Aronin në lëndët shkencore.

Keida Tahiri: Jam më tepër tek anët sociale sepse mamaja ime është juriste dhe kam qenë e prirur drejt atyre lëndëve.

Aron Ligori: Mesatarja ime e dy viteve të para të gjimnazit ka qenë 10.0. Lëndët e mia të preferuara janë lëndët shkencore. Kam një pasion shumë të madh për lëndën e Kimisë dhe shpresoj që në të ardhmen të vazhdoj një universitet me këtë degë, Kimi ose Biokimi.

Keida dhe Aroni gjithashtu janë histori suksesi në shkollat e kryeqytetit; në vendet ku nuk kanë munguar polemikat sa politike dhe sociale mbi të ardhmen e pasigurt të tyre. Janë pjesëmarrës në shumë aktivitete të ndryshme që realizojnë shkollat.

Keida Tahiri: Jam në krye të qeverisë së nxënësve dhe mundohemi t'u japim një zgjidhje problemeve të tyre. Mundohemi të organizojmë sa më shumë aktivitete.

Aron Ligori: Gjatë gjithë vitit mundohemi të organizojmë shumë aktivitete gjithëpërfshirëse, në fushën e muzikës, artit, debatit.

Mësuesit janë modelet e këtyre të rinjve. Nga prindër të dytë që cilësohen vazhdimisht, Majlida dhe Odeta ia kanë dalë që për më shumë se 20 vjet të jenë shembulli dhe inkurajimi për këta nxënës ekselentë. Majlinda, fituese e çmimeve, tashmë edhe me grada shkencore vazhdon të jetë po e përkushtuar si në ditën e parë si mësuese në shkollë në vitin 1991.

Dr. Majlinda Ziu, Mësuese "Sami Frashëri": Jam shpallur mësuese e vitit. Sigurisht që ndihem shumë e vlerësuar. Duke punuar për veten, bëhesh model për të tjerët.

Odeta Xhuvani, Mësuese "Sami Frashëri": Profesioni i mësuesit ka të bëjë me shpirtin, është nxënësi me emocionet e veta. Duhet të bëhesh pjesë e tij. Ka nxënës që jo vetëm e duan biologjinë, por japin veten e tyre duke bërë punime shumë të mira.

Odeta është mësuese e Biologjisë, e afër me nxisnit dhe që tenton të zbuloj më shumë në karakteret komplekse të adoleshentëve të sotëm.

Kalojnë pjesën më të rëndësishme në bankat e shkollave të vendit, por duan të ulen në auditorët e universitete të huaja. Ashtu si ëndrra të tjera që thuren në emër të një arsimimi më cilësor, Safeti, Aroni e shohin vetën jashtë Shqipërisë, duke treguar edhe njëherë se Shqipëria ka pasiguri të mëdha në tregun e punës.

Safet Hoxha: Dëshiroj të vazhdoj studimet e mia në Amerikë. Dëshiroj të vazhdoj diçka që ka lidhje me Matematikën.

Aron Ligori: Mundësi shumë e madhe për mua është të shkoj në Gjermani dhe të vazhdoj një lëndë aty një lëndë si Bioteknologjia.

Keida Tahiri: Zgjedhja ime do të jetë brenda vendit, të studioj këtu.

Qeveria mbështet përmes një buxheti 482 milionë lekë nxënësit ekselentë përmes bursave. Ky është vetëm një faktor për t'i dhënë mundësi të rinjëve të ndjekin studimet dhe të  lehtësojnë barrën financiare të familjeve të tyre. Por në anën  tjerët është momenti që për këta të rinj të ndiqen politika sociale me qëllim që "truri" i një shoqëri të tillë të jap kontribut në vendin e tij përmes punësimit në vend të mendimit  të emigrimit të përhershëm.    

/Oranews.tv/


EMISIONET