Vënia në funksionim e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese janë dy nga kushtet e vendosura Shqipërisë nga Bundestagu gjerman për të votuar pro hapjes së negociatave me BE.

Por ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili ka qenë edhe nenkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, në një intervistë për RTV Ora thotë se është e pamundur që këto dy gjykata të vihen në funksionim brenda janarit.

Halimi: Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale duhet të ketë minimalisht 6 anëtarë. Në situatën ku jemi të vetmit që mund të zgjedhin janë Presidenti dhe Parlamenti. Këta 6 anëtarë që do të zgjidhen, duhet të ketë secili tre kandidatë.Çdo vend në Gjykatën Kushtetuese që do të zgjedhë Presidenti duhet të ketë tre kandidatë.I bie të jenë 18 kandidatë të cilët sipas Kushtetutës duhet doemos të kenë kaluar të dy fazat e vettingut.

Halimi jep si shkak vonesat e vettingut dhe për këtë i rekomandon qeverisë dhe parlamentit dyfishimin e numrit të komisionerëve në mënyrë që të përshpejtohet puna për filtrimin e kandidatëve.

/Ora News.tv/