Fusha e gjelbër veç rezultateve sportive vazhdon të prodhojë edhe dhunë. Rasti i fundit u shënua sot në Peqin.

Takimi i javës së 11-ë midis Shkumbinit dhe Dinamos u mbyll në mënyrën më të shëmtuar.

Një grup tifozësh peqinas zbritën në fushë dhe iu turrën gjyqtarit kryesor të sfidës Sokol Bebja duke e goditur me grushta.

Revoltimi erdhi për shkak të pretendimeve të skuadrës së Shkumbinit dhe tifozëve të tij në lidhje me gjykimin e Bebjas.

Ky i fundit u arrit të nxirrej me vështirësi nga stadiumi.

Fill pas kësaj ngjarje ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit e cila dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

FSHF thekson se nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.

Kolegët e arbitrit ngrenë zërin: Të dënohen sipas ligjit agresorët

Edhe Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptar kërkon ndëshkim për personat që dhunuan arbitrin Sokol Bebja në sfidën e Kategorisë së Parë, grupi A Shkumbini-Dinamo 1-1.

"Shoqata e Arbitrave, e indinjuar nga dhuna ndaj arbitrit Sokol Bebja në Peqin, shpreh sot shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Sokol Bebja, gjatë ndeshjes Shkumbini-Dinamo në Peqin.

Shoqata e konsideron të turpshme dhe të papranueshme hyrjen e agresorëve në fushën e blertë ku duhet të luhet vetëm futboll dhe dhunimin e paprecedentë të një arbitri. Shoqata shpreh indinjatën e thellë për këtë ngjarje të rëndë e të dënueshme me ligj.

 Gjithashtu, Shoqata e Arbitrave kërkon nga policia e shtetit arrestimin urgjent të dhunuesve dhe nxjerrjen para gjykatës si dhe marrjen e masave për garantimin e punës dhe sigurisë së arbitrave. Shoqata e Arbitrave solidarizohet me arbitrin Sokol Bebja dhe i uron shërim të shpejtë" thuhet në deklaratën për mediat.

/Ora News.tv/