"Greqia" Meta flet për takimin me Ramën: Presim informacione më serioze

"Greqia" Meta flet për takimin me Ramën:  Presim

Presidenti Meta nënvizon rëndësinë e zgjidhjes së marrëveshjes për paktin detar me Greqinë. 

Pikërisht negociatat me shtetin fqinj kanë qenë temë e takimit që mbajti pasditen e djeshme me kryeministrin Edi Rama.

"Takimi i djeshëm me kryeministrin Rama ka qenë normal ku janë diskutuar çështje të ndryshme kryesisht lidhur me rëndësinë e çeljes së negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.  Shpresojmë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë kemi diskutuar. Por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtejshme pasi Institucioni i presidentit pret informacione edhe më të plota sipas standardeve më serioze që meriton rëndësia e kësaj çështje" u shpreh Meta paraditen e sotme në një prononcim për median në Tiranë

Sa i takon vendimmarrjes kreu i shtetit nënvizoi se vendimet e institucionit të presidentit do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe përgjegjësitë që i takojnë këtij institucioni, ashtu sikurse të gjithë institucionet e tjera kanë përgjegjësitë e tyre që do i ushtrojnë në kohën e duhur.

Ilir Meta: "Dua të nënvizoj rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështje. Kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm si tejkalim i një problemi të bartur, por dhe si çelje e mundësisë dhe perspektivës për menaxhimin dhe shfrytëzimin e të mirave detare dhe natyre. Të gjitha vendimet e institucionit të presidentit do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe përgjegjësitë që i takojnë këtij institucioni. Ashtu sikurse të gjithë institucionet e tjera kanë përgjegjësitë e tyre që do i ushtrojnë në kohën e duhur."

Por çfarë informacionesh më serioze duhen nga ato të Ramës?

Ilir Meta: "Së pari kryeministri Rama nuk ka ardhur për të informuar për ecurinë e negociatave, pasi ai nuk është negociatori i drejtëpërdrejtë. Ne kemi bërë një vlerësim të situatës së tanishme dhe perspektivës për të ecur drejt mundësisë së finalizimit të një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Cështja e komunikimit sa i takon informacioneve ka qenë me Ministrinë e Jashtme pasi ajo ka qenë koordinatorja e negociatave"

Presidenti ishte paraditen e sotme tek stenda e Kryqit të Kuq për dhurimin e gjakut tek Parku Rinia. Kreu i shtetit iu përgjigj interesit të medias. 


EMISIONET