Greqia 'peshkon' rrjetin që trafikoi mbi 50 mln euro drogë, kapet 1 ton kokainë, arrestohen 4 shqiptarë

Një sasi prej 1.2 ton kokainë është kapur nga policia greke në një superoperacion antidrogë të zhvilluar të premten e 24 janarit. 

Lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit të një kompleksi banesash të marrë me qira në Astakos. Droga ishte transportuar me një anije me vela dhe kishte për qëllim largimin e mëtejshëm në tregun e paligjshëm.

Zougla.gr shkruan se operacioni erdhi pas një  hetimi 6 mujor në bashkëpunim me Zyrën e DEA të Ambasadës Amerikane në Athinë dhe autoritetet e Policisë Shqiptare dhe Spanjolle.

Policia ka vënë në pranga 8 persona të moshës mes 23 dhe 41 vjeç. Pesë nga arrestimet u kryen në Agrinio, katër shqiptarë dhe një maroken. Veç lëndës narkotike, u sekuestruan dhe armë zjarri, pistoleta dhe kallashnikov si dhe municione.

Mediat greke duke cituar burime nga grupi hetimor raportojnë se bëhet fjalë për një organizatë kriminale transnacionale që trafikon kokainë nga Karaibet në vendet e Evropës dhe Afrikën veriperëndimore.

"Kjo organizate kriminale ka transportuar në mënyrë sistematike, përmes detit, sasi të konsiderueshme të kokainës nga Karaibet në vendet e Evropës dhe Afrikën Veri-Perëndimore".

Të njëjtat informacione thonë se anëtarët e këtij rrjeti janë veçanërisht kriminelë mizorë.

Siç zbulohet nga hetimi, drejtuesit e organizatës kriminale jetojnë jashtë Greqisë, në veçanti në një vend evropian, nga ku drejtojnë veprimin e anëtarëve të tjerë në të gjitha fazat e veprimtarisë së tyre kriminale, nga gjetja e anijeve e deri te transportimi i drogës nga Karaibet deri në dorëzimin final në vendet e Europës dhe Afrikën veriperëndimore.

Çështja përfshin edhe 9 persona të tjerë, për të cilët po kryhen hetime dhe operacione gjurmuese në Greqi dhe jashtë saj.

"Operacioni i djeshëm policor ishte karakteristik, me një shkallë të lartë rreziku, pasi anëtarët e organizatës kriminale janë të gjithë autorë të rrezikshëm, të cilët mbajnë armë" tha Drejtori i Sigurisë i Atikës.

52 çanta me drogë

Mesditën e 24 janarit në një shtëpi në Astakos, të cilën dy të huaj të moshës 23 dhe 35 vjeç e kishin me qira u gjetën 1 ton dhe 180.650 kg kokainë.

Duke vepruar në emër të anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, ata kishin në zotërim pesëdhjetë e dy çanta udhëtimi, ku secila njëra prej tyre kishte dy pako të veçanta  të mbështjella me materiale të papërshkueshëm nga uji për mbrojtje nga lagështia.

Në total ishin 1,040 pako najloni, me peshë 1 kg secila. Lënda narkotike ishte gati për shpërndarjene  menjëhershme që do të kryhet nga tre të huaj (24, 28, dhe 41 vjeç), si dhe një shofer  kamioni i paidentifikuar. Mjeti ishte marrë me qira  qëllim transportimin e sigurt të sasisë së kokainës.

Veç lëndës narkotike dhe armëve, të arrestuarve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 233.150- € cash, pesë vetura private dhe 19 telefona celularë.

E shkuara e të arrestuarve

Ata janë arrestuar në të kaluarën për çështje droge, sulme të armatosura ndaj oficerëve të policisë, grabitje të armatosur, falsifikime dhe vepra të tjera penale.

Njëri nga të arrestuarit (një i huaj 41-vjeçar), në shkurt të vitit 2010, në Vyronas të Atikës, arratiset nga burgu  së bashku me bashkëpunëtorin e tij. Gjatë arratisjes ata qëlluan me armë ndaj policisë dhe hodhën 5 granata. Për pasojë një kalimtar i rastësishëm u vra, ndërsa dy oficerë policie mbetën të plagosur. Nga viti 2000, 41-vjeçari është arrestuar pesë herë për grabitje të armatosur, droge, përpjekje për vrasje, dhe tre herë për shkelje të lejes së burgut.

Dy anëtarë të tjerë të organizatës janë arrestuar gjithashtu në të kaluarën. I pari në gusht 2004, si anëtar i një organizate kriminale që importoi 910 kg kokainë në  Greqi nga Karaibet në një anije me vela. I dyti në mars të  2017 për trafik kokainë dhe në shtator 2018 për trafik droge në Zakynthos.

Dy të tjerë janë arrestuar gjithashtu pëer trafik. I pari në nëntor 2011 në Kozani për vjedhje banese dhe në shtator 2015 për mbajtjen dhe trafikim kanabisi, ndërsa i dyti në qershor 2016 për trafik kokainë në Athinë.

Një tjetër nga të arrestuarit ka një numër arrestimesh për falsifikim, dhe gjithashtu u arrestua në shtator 2012 për posedim dhe trafikim të kokainës.

Hetimet e deritanishme tregojnë se organizata kriminale ka mbledhur të ardhura të paligjshme mbi 50,000,000 €.

Hiearkia dhe rolet e të arrestuarve

Në hetimet paralele të kryera në Spanjë dhe Shqipëri, u identifikuan anëtarët e tjerë të organizatës kriminale dhe rolet e tyre:

-Kështu dy persona të huaj, njëri me origjinë arabe, të dy banorë të përhershëm në Spanjë, drejtonin organizatën kriminale.

-Një tjetër i huaj, bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i komandantëve të mësipërm, ishte përgjegjës për kontrollin dhe trajtimin e detajeve dhe procedurave të transportit të drogës, të tilla si gjetja e një anije me vela, ekuipazhi dhe koordinimi i transportit.

-Të huajt të tjerë, ballkanas dhe 28-vjeçar vendas ishin asistentë të ngarkuar për shlyerjen e parave të dërgesave të drogës dhe përpunimin e pagesave.

-Një i huaj ishte përgjegjës si për pranimin e furnizuesve të drogës në Amerikën Latine, dhe për transportin (ekuipazhin) dhe dërgimin e sasive të tyre për anëtarët e tjerë të organizatës.

-Një tjetër i huaj ishte përgjegjës për marrjen e drogës në Greqi dhe transferimin në vendet evropiane, në një rol koordinues, duke qëndruar në kontakt të drejtpërdrejtë me anëtarët kryesorë të organizatës në Spanjë.

-Një shtetas tjetër në bashkëpunim me dy të huaj të tjerë dhe një person të panjohur, ishte përgjegjës për transportin e sigurt të drogës, marrjen e masave të sigurisë dhe mbikëqyrjes gjatë kryerjes së kontakteve dhe aktiviteteve të organizatës kriminale.

-Një i huaj 30-vjeçar me banim në Spanjë, garantonte sigurinë gjatë takimeve të bosëve të organiztës me anëtarët e tjerë.

Akuzat ndaj tyre

Dosja në ngarkim të tyre përfshin raste të organizimit kriminal dhe të dhunës ndaj zyrtarëve dhe personave gjyqësor, si dhe shkelje të ligjeve të drogës dhe armëve.

Të arrestuarit u drejtuan pasdite pranë Prokurorit të Përgjithshëm të Athinës, i cili do të drejetojë tashmë hetimet.

Hetimi po vazhdon për zbulimin e plotë të aktivitetit të organizatës, dhe në bashkëpunim me autoritetet homologe në vendet e tjera, po bëhen kërkime për të identifikuar dhe arrestuar anëtarët e tjerë të organizatës kriminale.

EMISIONET