Grabitja në Rinas, Balluku: Fajin e ka koncesionari, 'Kutia e Pandorës' u hap!

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar në lidhje me grabitjen e miliona eurove në Rinas. Sipas saj, faji është i koncesionarit kinez, i cili nuk ka marrë asnjë masë pavarësisht thirrjeve të organeve mbikëqyrëse për të rritur sigurinë. Balluku tha se tashmë është hapur "Kutia e Pandorës" dhe gjithçka do të sqarohet.

Balluku: Ngjarja e 9 prillit është një ngjarje e përsëritur, por fatkeqësisht edhe më e sofistikuar nga keqbërësit në krahasim me herët e tjera, çka sjell cënimin e sigurisë kombëtare dhe saj ndërkombëtare, pasi aviacioni civil nuk ka kufi. 

Përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zgjidhur një herë e përgjithmonë një problem madhor, të cilin e kemi trajtuar me kujdes dhe konform normave dhe rregullave që aviacioni kërkon. Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës nga korriku 2016 pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti kanë rënë në vesh të shurdhër. Masat e marra kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme. Masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë sa për të  kaluar radhën dhe për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj. Kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë. 

Të ardhurat dhe taksa për pasagjerë prej 3 eurosh që kompania vjel nuk u përdoren për investime serioze për pasagjerët. S'po ndalem sot në detajet e kushteve të munguara në këtë aeroport, i vetmi aeroport ndërkombëtar për momentin, pasi Kutia e Pandorës është hapur dhe do të kemi kohë plot për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson. Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit ashtu siç është kërkuar nga organet mbikëqyrëse. I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër janë parkingjet. Ti shtojë ata dhe të vjelë fitime të lehta duke harruar kush është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri. 

EMISIONET