Tre hajdutë janë ekzekutuar nga policia braziliane, pasi hynë në terminalin e një aeroporti, vodhën miliona euro dhe u larguan bashkë me paratë.

Reuters raporton se sapo hajdutët kishin dalë në autostradë kishin hapur zjarr ndaj kamionëve, rojeve të sigurisë dhe policisë.

Por policia tha se dy nga burrat u vranë, ndërsa i ishin drejtuar Aeroportit Ndërkombëtar të Viracopos në qytetin Campinas, afër Sao Paulo, ndërsa i treti u fut në një shtëpi dhe mori peng një familje, para se të pushkatohej.

Ndërsa vetëm 3 hajdutë u eliminuan, rreth 12 persona të tjerë pjesë e bandës së mirë organizuar të hajdutëve u larguan nga vendi i ngjarjes dhe policia është vënë në ndjekje të tyre.

Dy roje të sigurisë private dhe një oficer policie u qëlluan dhe u plagosën në grabitjen e së enjtes në aeroportin e Viracopos, i cili është një qendër ndërkombëtare në rritje dhe baza kryesore për kompaninë ajrore Azul SA.

Kjo vjedhje është vjedhja e dytë që bëhet në aeroport në Brazil. E para ndodhi rreth një vit më parë në aeroportin e Guarulhos. Disa burra të armatosur hynë në aeroportin, që cilësohet si më i madhi në vend, në korrik të këtij viti dhe vodhën ‘ar’ me vlerë 40 milionë dollarë.

Policia mbron oficerët dhe justifikon vrasjet

Policia ka mbrojtur vdekjet në rritje të hajdutëve, duke thënë se oficerët po e gjejnë veten në konfrontime të dhunshme, për shkak të një rritjeje gati 50% të numrit të vjedhjeve. Ata e quajnë përgjigje ndaj rritjes së nivelit të krimit vrasjet nga ana e policisë.

Guvernatori i Sao Paulo, Joao Doria, uroi oficerët që morën pjesë në këtë aksion, ndërsa tha që të vrarët "janë aty ku meritojnë të jenë".

"Kriminelët kanë vdekur dhe të pafajshmit janë të gjallë. Midis jetës së një krimineli dhe jetës së një oficeri policie, qeveria e Sao Paulo zgjedh për të mbrojtur jetën e një oficeri policie", u tha Doria gazetarëve dhe oficerëve të policisë.

/Ora News.tv/