Grabisnin shtëpitë e futbollistëve, shkatërrohet grupi i shqiptarëve

Policia spanjolle ka kurorëzuar një operacion duke arrestuar së paku katër persona, të dyshuar si autorë të grabitjes së shtëpive të disa futbollistëve, mes tyre të ekipeve të Real Madrid dhe Atletico Madrid.

Banda drejtohej nga një grup shqiptarësh, të cilët gjithashtu dyshohen për një sërë ngjarjesh të ngjashme.

Grabitjet kryheshin gjatë kohës që shtëpitë ishin të pabanuara, pasi mbaheshin në vëzhgim. Njëri nga shqiptarët e arrestuar është me iniciale M.Z., i cili tashmë ndodhet në pranga, për një grabitje të dhunshme të kryer në vitin 2007, në shtëpinë e biznesmenit José Luis Moreno.

Ndërkohë identitetet e tre shqiptarëve të tjerë nuk bëhen me dije. Në fillim të muajit tetor, u grabit edhe shtëpia e futbollistit të Atletico Madrid, Thomas Teye Partey në Boadilla del Monte, ndërsa ai ishte në Moskë për të luajtur një ndeshje të Ligës së Kampionëve, kundër ekipit të Lokomotivës.

Kjo grabitje ndodhi vetëm 48 orë pasi e kishte pësuar mesfushori i Real Madrid, Casemiro në 28 shtator. Lucas Vázquez, Álvaro Morata dhe Zinedine Zidane ishin gjithashtu viktima të kësaj bande.

EMISIONET