Gjoni: Hidhuni pupthi, s'ka marrëveshje pa ne

Deputeti i opozitës Ralf Gjoni gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit është shprehur se pa votën e tyre në Parlament nuk do ketë 'diell' për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Gjoni tha se mazhoranca fshihet pas "fustaneve" të rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe se nuk ka treguar asnjë vullnet për një reformë gjithëpërfshirëse dhe tërësore zgjedhore.

Ndërkohë shtoi se opozita jashtë Parlamentit shpreson për një histori dashuriçke me kryeministrin Edi Rama.

Ralf Gjoni: "Prezenca jonë këtu e dinë gjithë shqiptarët që mban këtë maxhorancë këtu në këmbë. Ju e dini dhe ne e dimë këtë. Presidenti është krenar sepse e paska shpëtuar Kuvendin nga djegia dhe ka evituar luftë civile. 

Kryeministri është krenar se po flirton me PD në rrugë dhe është pranë një pazari, sipas fjalëve që po qarkullojnë zoti Balla. Ne këtu nuk jemi krenarë sepse nga momenti që është ngritur komisioni për reformës zgjedhore dhe ne arritëm që të ndryshonim objektin e këtij Komisioni duke futur përtej rekomandimeve të OSBE ODIHR edhe hapjen e debatit kombëtar për ndryshimet sistemit zgjedhor përfshirë këtu ndryshimet e nevojshme kushtetuese nuk është bërë asgjë në këtë komision. Mazhoranca socialiste nuk ka treguar asnjë vullnet për një reformë gjithëpërfshirëse dhe tërësore zgjedhore. 

Mazhoranca socialiste fshihet pas fustaneve të rekomandimeve të OSBE/ODHIR duke e etiketuar atë si gjoja reforma zgjedhore. Zoti Balla ju dëgjova me kujdes seancën e kaluar. Reforma zgjedhore në objektin e komisionit nuk konsiston vetëm në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR, konsiston në reformimin e sistemit zgjedhor, ku përfshihet edhe ndryshimi kushtetues. Tani më lejoni t'ju qartësoj nja dy tre gjëra si juve në Parlament dhe atyre në rrugë që shpresojnë në një histori dashuriçke me Edi Ramën.   

Dhe sidomos ata në rrugë ta kenë të qartë si PD dhe LSI, nuk ka deal me këtë mazhorancë për ndryshimin e sistemit zgjedhor pa votën tonë këtu në Parlament. Ta kenë të qartë të gjithë, të hidheni pupthi ju dhe juve me ata bashkë. Shkoni tek ato lojërat e trampolinave të fëmijëve dhe hidhuni pupthi në ajër. Se nuk shans që të reformohet sistemi dhe të ketë reformë zgjedhore pa firmat dhe pa votën tonë këtu në Parlament si opozitë e bashkuar."

Gjoni tha se nuk do lejojnë të bëhet asnjë pazar në kurriz të shqiptarëve. Ndërkohë theksoi se opozita në Parlament është më e bashkuar se kurrë.

Ralf Gjoni: "Qarkullojnë fjalë se opozita në Parlament është ndarë në mendime të ndryshme për reformën zgjedhore. Jo, jemi më të bashkuar se kurrë. Ekziston një dokument me kërkesë zyrtare me 39 firma për ndryshimin e sistemin zgjedhor. Dhe ta keni të qartë votat tona në atë Komision për Reformën Zgjedhore nuk do jenë në favor të një pazari në kurriz të shqiptarëve. Ata janë të mirëpritur të vijnë në pranë Komisionit, siç e kemi miratuar bashkërisht dhe të bëhen pjesë e debatit publik për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por fatkeqësisht kanë humbur votën e tyre në Parlament pa e kuptuar para. "

Deputeti parashtroi 3 mënyra për të ecur përpara, duke kërkuar mbledhjen e një tryeze gjithëpërfshirëse për hapjen e debatit kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ralf Gjoni: "Si do ecim përpara?  Brenda këtij muaji Zoti Balla, si kryetar i grupit parlamentar të PS duhet mbledhur tryeza gjithëpërfshirëse për hapjen e debatit kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor . Jemi të gatshëm të miratojmë edhe rekomandimet e OSBE/ODHIR, por kjo duhet të ndodhë paralel me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ta harroni se mund të fshiheni pas rekomandimeve të OSBE/ODHIR. E dyta, bashkëkryetari i propozuar prej jush, Gjiknuri nuk kam ndërmend të merrem gjatë me të, ka treguar 0 vullnet për te ecur përpara në këtë drejtim. Ju kemi kërkuar dhe kushtëzuar votën tonë me largimin e tij dhe zëvendësimin me një person më serioz për të ecur përpara me ndryshimin e sistemit. 

Tre, duhet ta keni të qartë që në këtë momenti kyç me përfundimin e reformës në drejtësi ju do të përballeni me presion perëndimor për reformimin e sistemit zgjedhor. Ta harroni se jemi vetëm këtu. Ne kemi mbështetjen perëndimore dhe vota e prezenca jonë këtu është në funksion të axhendës euroatlantike dhe interesave strategjike të SHBA e BE në këtë rajon. Ta harroni që mund të bëni pazar me PD e LSI në rrugë në kurriz të interesave të shqiptarëve dhe në kurriz dhe kundër këtyre interesave strategjike perëndimore në Ballkan."

EMISIONET