Gjonaj: Rezultatet e para nga Vettingu në muajin shkurt

Gjonaj: Rezultatet e para nga Vettingu në muajin shkurt

Rezultatet e para të vettingut priten të bëhen publike në fillim të muajit shkurt. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë një vizite që zhvilloi në institucionet e varësisë në Qarkun e Fierit.

 Gjonaj ritheksoi gatishmërinë e qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Gjonaj: Mendojmë që mbase në shkurt do të dalin rezultatet e para për drejtuesit kryesorë, por njëkohësisht edhe  anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, kandidatët  për KLGJ apo KLP me qëllim që të kemi mundësinë që menjëherë pas kësaj të ngrihen institucione e reja.Ju e dini mjaft mirë që Partia Socialiste, Kuvendi dhe deputetet e PS-së kanë marrë të gjitha masat me qëllim që të gjitha këto institucione të reja të drejtësisë të ngrihen sa më shpejt. Është pikërisht ky procesi i fundit që ndodhi, nuk u votua dhe e gjithë lista nuk u votua, u rrëzua për anëtarët e KLGJ dhe KLP që lidhet me sistemin e drejtësisë. Sa më shpejt që të miratohet kjo listë, aq më shpejt do të mund të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë, i cili ka në thelb të saj tranparencën, pavarësinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në gjykimet që bëjnë.

Ministrja Gjonaj paralajmëroi masa dispilionore të ashpra për këdo që shkel ligjin, apo merr ryshfet në këmbim të dhënies së një shërbimi në zyrat e shtetit

Gjonaj:  Kush ka humbur dokumentet do të shkojë për procedim penale. ZRVPP dhe ALUIZNI ka histori të tilla. Kush thotë se më kanë humbur dokumentet do të dalë përgjegjës dhe do të shkojë për përgjegjësi penale, sepse nuk mund të vazhdohet kështu. Dhe mënyra e organizimit do një shkundje që nga mentaliteti i punonjësve, mënyra e veprimit, e administrimit, qoftë edhe nga mënyra e pritjes së qytetarëve.

Ministrja e Drejtësisë u shpreh se po punohet për të integruar tri shërbimet , ALUIZN, ZRPP, ATP në një zyrë të vetme me qëllim dhënien fund sorollatjeve të qytetarëve nëpër dyert e institucioneve.



EMISIONET