Pavarësisht mosdekretimit nga Presidenti i Republikës, Skënder Gjinushi fitoi të premten të drejtën e ushtrimit të detyrës si kreu i Akademisë së Shkencave. Vendimi u mor në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë së Akademisë, ku siç pritej, i vetmi zë anatemues ishte Artan Fuga, i cili votoi kundër.

Ky i fundit e komentoi vendimin si nje puç institucional dhe antikushtetues.

Fuga: Është shkelur ligji, është shkelur Kushtetuta, është shkelur shteti i së drejtës, është bërë një puç institucional sot në Akademinë e Shkencave.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Gjinushit.

Gjinushi: Nuk është lajm që Fuga voton kundër, lajm do të jetë kur Fuga voton pro për ndonjë çështje. Që reforma në Akademinë e Shkencave është bërë edhe me ndihmën e politikës, por edhe nën presion, me pengesa politike të segmenteve të caktuara të inspiruar edhe nga nga grup mediokrish që reformën e ngatërrojnë me anti-reformën.

Vendimi është dënuar ashpër edhe nga ish-deputeti Luçiano Boçi, i cili nga selia blu u shpreh se ky është një akt i turpshëm dhe i paligjshëm i ushtarit të Ramës dhe Tom Doshit në Akademinë e Shkencave.

Boçi: Në krye të Akademisë së Shkencave nuk mund të emërohet një person me angazhim të qartë politik, një person pa asnjë kontribut shkencor, një person i cili, përveç mendësisë komuniste, nënshtrimit ndaj Edi Ramës dhe Tom Doshit, nuk nuk mund prodhojë  asgjë shkencore e bashkëkohore.

Përplasja për emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave nisi me vendimin e presidentit Meta për të refuzuar dekretin, me pretendimin se Gjinushi ishte kryetar partie në momentin që u zgjodh në krye të Akademisë, duke e cilësuar këtë si të paligjshme.



/Ora News.tv/