Drejtuesit e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, janë dakordësuar që brenda muajit shtator të organizojnë një tryezë për çështjet zgjedhore.

Një fakt të tillë e bëri me dije deputeti Gjiknuri gjatë një takimi me ambasadorin gjerman në vendin tonë Peter Zingraf.

"Në kuadër të adresimit të kërkesave të opozitës parlamentare, me bashkëkryetaren e komisionit zj.Rudina Hajdari jemi dakordësuar të organizojmë brenda Shtatorit një tryezë gjithëpërfshirëse diskutimi mbi çështjet e sistemit zgjedhor" shkruan Gjiknuri në facebook.

Sipas Gjiknurit, ambasadori Peter Zingraf ritheksoi interesimin maksimal të Gjermanisë për reformën zgjedhore.

Të dy bashkëbiseduesit mësohet gjithashtu se kanë diskutuar mbi ecurinë e deritanishme të këtij procesi, gatishmërinë e mazhorancës për të krijuar hapësirat e bashkëpunimit për opozitën parlamentare ashtu edhe atë joparlamentare.

/Ora News.tv/