Deklarata e Bashës dje, 18 shtator: Nuk mund të fshihemi as pas provokimeve të rënda, siç është ai i ftesës nga  një individ, Damian Gjiknuri, i cili është i dyshuari kryesor, ndër të dyshuarit kryesorë të dosjes “184”.

Pa kaluar as 24 orë duket se shumica në pushtet ka bërë lëshimin e parë në plotësimin e kushteve të opozitës.

Vetë Damian Gjiknuri teksa hynte në sallën e Kuvendit, u shpreh i gatshëm të lerë drejtimin e Komisionit të Reformës, por me një kusht.

Gjiknuri: E mira është që PD të ketë një vend në Komisionin për Reformën zgjedhore. Prandaj po e them, nëse vijnë, e njohin  këtë komision, kontribuojnë në këtë pozicion unë jam i gatshëm të rishikoj pozicionin tim pasi të komunikoj me kryetarin e partisë sime, sepse kjo është pjesë e një pakete politike. Nuk kam ndonjë merak sepse kemi të bëjmë me një kompromis të madh. Por është jashtë kulturës politike, nuk ndodh në asnjë vend të botës të kushtëzosh palën tjetër në pjesëmarrje në negociata.

Por për PD, dorëheqja nga komisioni i reformës nuk është i mjaftueshëm. Gazment Bardhi u përgjigj direkt nga selia blu duke kërkuar daljen e Gjiknurit dhe të gjithë atyre që janë pjesë e dosjes 184 dhe 339 para drejtësisë.

Bardhi: Damian Gjiknuri dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhje dhe për të vjedhur votat nuk duhet të jenë mes zgjedhjes për të dhënë dorëheqjen apo jo nga Komisionit, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojnë në burg për kryerjen e krimeve zgjedhore. Kjo nuk është kërkesë e opozitës, por është standard evropian, është një nga kushtet e BE për hapjen e negociatave. Të gjitha ata përfshirë Gjiknurin dhe pjesën tjetër të anëtarëve të komisionit që janë pjesë të dosjeve 184 apo 339 nuk duhet të jenë në komisionin për reformën zgjedhore por duhet të jenë në burg dhe të proceduar penalisht për të gjitha krimet zgjedhore që kanë kryer.  

Gatishmërinë e tij, Gjiknuri nuk e la pa ironi, duke ironizuar se opozita e kthehu betejën nga Rama ik në Gjiknuri ik.

Gjiknuri: Mua më duket disi dhe ironike dhe qesharake. Gjithë ajo kauzë për Rama ik mund të përfundojë në Damiani ik në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore zbuloi edhe një sekret në ftesën që Rama i bëri një ditë më parë opozitës. Kishte qenë ai që kishte hedhur idenë për të pasur në tryezë edhe opozitën jashtë parlamentit.

Gjiknuri: Unë kam qenë ai që kam bërë kompromise me opozitën. Kam drejtuar reformën zgjedhore në opozitë, kam gjetur ura bashkëpunimi. Ka qenë ideja ime personale në bashkëpunim dhe me aktorët ndërkombëtare ku kam thënë që e  mira është që PD të ketë një vend në komisionin e reformës zgjedhore.

Më parë OSBE dhe më pas kreu i qeverisë i drejtuan një ftesë opozitës brenda dhe jashtë parlamentit për tu bërë pjesë e tryezës së 25 shtatorit si një vijim të punës për reformën zgjedhore.

Por kryetari Basha u përgjigj se një tryezë nuk e zgjidh krizën, pa dhënë një përgjigje refuzuese  për këtë ftesë.

Opozita zhvilloi një takim pasditen e së mërkurës, ku kryetarja e LSI deklaroi se tashmë kanë gati një platformë për daljen nga kriza.

/Ora News.tv/