Kreditimi i ekonomisë shqiptare ka nisur të gjallërohet gjatë muajve te fundit.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit gusht janë dhënë 561 mld lekë nga bankat e nivelit të dytë. Ndërsa nëse e krahasojmë me muajin prill, janë dhënë rreth 15 mld lekë më shumë. Po ashtu edhe depozitat kanë vijuar të pësojnë rritje gjatë gushtit, pavarësisht interesave të ulta.

Ekonomia shqiptare ka marrë më shumë mbështetje nga bankat e nivelit të dytë gjatë muajve të fundit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se që prej muajit prill në vend huaja për ekonominë ka njohur rritje dhe janë dhënë rreth 15 mld lekë më shumë duke arritur në 561 mld lekë gjatë maujit gusht.

Kjo situatë ka ndryshuar pas një periudhe stanjacioni gjatë vitit të kaluar.

Statistikat tregojnë se rritje të huadhënies ka pasur si për bizneset po ashtu edhe për individët.

Stoku i kredisë për individët është rritur me rreth 5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar dhe kjo hua është e përqëndruar kryesisht në kreditë për blerje banesash.

Ndërkohë për bizneset huaja e bankave të nivelit të dytë ka pasur një rritje pak më të vogël  dhe në fokus kanë qenë bizneset e mëdha.

Një detaj interesant është edhe fakti që individët, por preferojnë më shumë kreditimin në monedhën vendase pasi shmangin efektet e kursit të këmbimit dhe në këtë drejtim nëse e krahasojmë me një vit më parë rritja shkon deri në 7%.

Nga ana tjetër bizneset vijojnë të preferojnë kreditë në euro pavarësisht luhatjeve të theksuara të kursit për këtë monedhë.

Gjatë 2018-ës, kreditimi pësoi një rënie me rreth 3%, por sipas Bankës së Shqipërisë kjo u ndikua edhe nga fshirja e bilanceve që lidhen me kreditë e këqia.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se gjatë muajit gusht ka pasur një rritje me rreth 10 mld lekë edhe depozitat e individëve.

/Ora News.tv/