Gaz lotsjellës për të larguar emigrantët nga kufiri SHBA-Meksikë

Gaz lotsjellës për të larguar emigrantët nga kufiri

Autoritetet amerikane përdorën gazin lotsjellës në kufirin me Meksikën gjatë orëve të para të vitit të ri për të larguar rreth 150 emigrantë që u përpoqën të shkelin gardhin kufitar të ndërtuar pranë qytetit Tijuana.

Trupat e doganës dhe ato të mbrojtjes së kufirit, sqaruan më vonë në një deklaratë se gazin lotsjellës e përdorën kundër atyre që gjuanin me gurë dhe jo emigrantëve që po përpiqeshin të kalonin kufirin.

"Asnjë zyrtar i sigurisë nuk ka përdorur dhunë ndaj ndonjë emigranti, duke përfshirë fëmijët. Agjentët kimikë kishin në shënjestër hedhësit e gurëve që ishin më larg sesa turma e emigrantëve," thuhet në një deklaratë.

Megjithatë, një fotograf i agjencisë Associated Press, tha se kapsulat me gaz lotsjellës u hodhën në anën meksikane të kufirit, pranë plazhit të Tijuana-s, duke prekur emigrantët, përfshirë gratë, fëmijët, si dhe gazetarët.

Associated Press njofton se gurët u hodhën vetëm pasi agjentët amerikanë qëlluan me gaz lotsjellës.

Situata me emigrantët dhe vdekjet e dy fëmijëve në qendrat e pritjes në Shtetet e Bashkuara ka intensifikuar debatin mbi politikën e emigracionit në Uashington, ndërsa presidenti Donald Trump kërkon prej ligjvënësve një financim prej 5 miliardë dollarësh për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën.

EMISIONET