Pas ftesës së OSBE për dialog, e përforcuar edhe nga një ftesë publike e Ramës drejtuar opozitës së bashkuar, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mblodhi pasditen e sotme aleatët. Takimi që zgjati përreth 1 orë u zhvillua në selinë blu.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një prononcim të shkurtër pas takimit tha se qëndrimet e opozitës janë ato që u bënë të ditura më herët nga Basha.

Kryemadhi: “Ajo çfarë zoti Basha deklaroi 3 orë më përpara është përsëritje e çdo gjëje pas një akordimi që kemi pasur nëpërmjet telefonatave të të gjithë bashkëkryetarët e Frontit Opozitar. Ne jo vetëm që nuk lëvizim asnjë presje nga qëndrimet tona, por do të vazhdojmë të ecim përpara me platformën që opozita ka gati për zgjidhjen e krizës. Jemi duke punuar grupet e punës për platformën, e sigurisht në tryezë nuk ulet vetëm një njeri, por janë të gjithë personalitetet, njerëzit me integritet dhe me vlera të të gjithë partive politike. Mos harroni se Fronti Opozitar tashmë është 85 përqind e shqiptarëve.”

Më herët Basha kur u pyet nga gazetarët për ftesën e Ramës, e cilësoi të pasinqertë teksa tha se para reformës zgjedhore duhet zgjidhur kriza politike. Dhe kjo sipas tij arrihet përmes vullnetit politik.

Ndërsa kur u pyet për OSBE, Basha pati këtë koment:

Pyetje: Zoti Basha çfarë përgjigje do t’i jepni OSBE-së për t’u ulur në tryezë?

Lulzim Basha: Ne u kemi dhënë një përgjigje përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe, për fat të keq, një përgjigje negative ka ardhur nga Edi Rama me alibinë se do të përgjigjej pas 30 Qershorit. Kështu që, nuk jemi ne pengesa për një proces transparent, parimor dhe gjithëpërfshirës  për zgjidhjen e vërtetë të krizës, por qartësisht, është Edi Rama, i cili nuk mund të fshihet as pas letrave publike dhe as pas letrave që çon me Damian Gjiknurin, pavarësisht se kushdo tjetër që firmos ato letra, duhet të analizojë thellë se cilat janë përgjegjësitë. Sa i përket OSBE-së në Tiranë pres akoma që OSBE-ja në Tiranë të shprehet për raportin e OSBE/ODIHR-it, pres akoma të shprehet për 3 kryebashkiakët me rekorde kriminale, pres akoma të shprehet për shkeljet e rënda  të Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj që këto janë të rëndësishme që shqiptarët t’i dëgjojnë. Nuk kemi dëgjuar asgjë nga këto nga OSBE-ja as për këto, as për të tjerat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt më mandatin e OSBE-së, por, në fund të fundit, kjo është diçka që është përtej mandatit dhe gjykimit tim si kryetar i opozitës.




/Ora News.tv/