E nisi sezonin 2019-2020 me një ritëm të shfrenuar por në momentin më të mirë Rey Manaj kris marrëdhëniet me skuadrën e Albasetes. Sulmuesi i kombëtares shqiptare për arsye disiplinore ka humbur dy takimet e fundit dhe rrezikon ndjeshëm që të largohet nga klubi spanjoll.

Mediat iberike shkruajnë prej ditësh se lushnjari vështirë se mund të vendos ekulibrat me drejtuesit e Albasetes. Edhe pse 24 vjecari ka treguar një formë të kënqshme duke luajtur titullar e si pasojë ka shënuar 2 gola, kjo nuk ka mjaftuar që Manaj të ketë vazhdimësi në Segunda Divizion.

Megjithatë zërve për një largim të mundshëm të lojtarit kuqezi nga kampionati spanjoll i ka hedhur poshtë drejtori sportiv i Albasetes, Mauro Perez. Ky i fundit në një deklaratë për mediat është shprehur se Manaj nuk largohet pasi është një "bast" për klubin.

“Manaj është një "bast" për klubin, por edhe klubi është një "bast" për të. Është një lojtar plus për ne dhe e dimë se trajneri do ta përdorë kur të mendojë se ai do të jetë gati”.

Kjo deklaratë mund të shërbej si frymëmarrje për futbollistin e kombëtares sonë për të vijuar rrugëtimin e tij me klubin aktual. Rei Manaj për të mos humbur formën fizike dhe për të qenë një protagonist në fushën e lojës duhet të lëri pas krahëve këtë ngërc.

Vazhdimësia e Manajt është një kosto edhe për ekipin tonë kombëtar pasi mbetet një alternativë tejet e rëndësishme në taktikat e trajnerit Eduardo Reja në kuadër të ndeshjeve eleminatore të Euro 2020.

/Ora News.tv/