VIDEO/ Manaj i fal 3 pikë Turqisë, Europë, mirupafshim nga Shqipëria!

Shqipëria reziston deri në frymën e fundit, por eliminohet nga Europiani që në raundin kualifikues. Kuqezinjtë nuk kanë mundur të marrin pikë në transfertën turke ndaj kombëtares së Turqisë, duke u mposhtur me shifrat, 1-0. Tosun ishte autori i golit të vetëm.

Kur po kronometrohej minuta e 90-të, sulmuesi i Everton përfitoi nga një pakujdesi në dalje të Thomas Strakoshës dhe me portën e boshatisur shënon golin me vlerën e 3 pikëve.Kaq mjaftoi dhe Shqipëria është totalisht jashtë Europianit 2020, që do të mbahet në verën e vitit të ardhshëm. Ndërsa Turqia mban vendin e parë në grupin H me 18 pikë, aq sa Franca që në krahun tjetër mposhti po 1-0 Islandën.

Në Stamboll, kuqezinjtë zhvilluan një lojë të kënaqshme. Rey Manaj ishte ai që kishte në këmbë golin e fitores, por tre tentativat gjetën kundërpërgjigjen. Porta e Turqisë u kthye në një bumerang për lushnjarin dhe fati kaloi në krahun e kundërt. Kur u duk se gjithçka po shkonte drejt një barazimi të paqtë dhe pa gola, Strakosha rikthen makthet e shumë viteve më parë.

Një dalje e gabuar e tij dhe mosmarrëveshja me mbrojtësin bëri që sfera të shkonte në kokën e Tosun, i cili me portën e boshatisur nuk fali. Goditja e 28 vjeçarit "çliroi" në festë vendasit, teksa hodhi "knock-out" kuqezinjtë. Tashmë, shpresat për një vend në finalet e Euro 2020 shuhen përfundimisht, pasi kur kanë mbetur edhe 9 pikë në lojë, distanca që të dërgon në Europian është 9 pikë.

Në garë për dy vendet që të dërgojnë në finalet e Europianit gjenden vetëm 3 skuadra. Turqia dhe Franca janë më të avantazhuara, pasi pas 7 takimesh numëron 18 pikë, +6 nga Islanda që duhet të shpresojë te hapat fals të kryesuesve dhe të fitojë të tre takimet e mbetura në grup për tu kualifikuar.

Ndërkaq, Shqipëria ka gjasa ta mbyll në vendin e katërt këto eliminatore. Nëntë pikë në 7 sfida dhe tre takime për të zhvilluar. Andora parakalon Moldavinë, kundërshtarin e kuqezinjve të martën e 14 tetorit, pas fitores 1-0 dhe bashkë me ta mbyllin grupin në kuotën e 3 pikëve.

"Live" te gjithë rastet dhe momentet pikante të ndeshjes  

Mbyllet takimi. Shqipëria shpërdoron mundësinë për të shkuar në Europian.

90' Gafë në mbrojtje, Turqia zhbllokon rezultatin me anë të Tosun. 


74' Aksion mjaft i bukur nga Roshi. Fieraku hedh një top në zonë që gjen Manaj, por sulmuesi i Albacete bën të pamundurën, duke e nxjerrë sferën jashtë.  


68' Drithërima te porta e Strakoshës, goditja e Calhanoglu përfundon ngjitur me shtyllën  


58' Zëvendësim te Shqipëria. Lenjani i lë vendin Roshit.


Pjesa e parë: Është mbyllur në barazim 0-0 pjesa e parë në "Sukru Saracoglu" të Stambollit, me Turqinë e Shqipërnë që nuk gjetën rrjetën, pavarësisht rasteve sporadike në të dy kampet.

Në 45 minutat e para ajo që vlen të përmendet është fakti që gjyqtari nxori 5 kartona të verdhë, dy për vendasit dhe tre për ne. Ndërsa, në minutën e 7-të kishte edhe pak momente tensioni, me Bare e Demiral që tentuan përplasjen fizike, por u ndalën nga kartonat e verdhë.


45+5' Mbyllet pjesa e parë


45' Akordohen 4 minuta shtesë.


26' Ndalet aksioni i kuqezinjve, Ayhan ndalohet me faull dhe merr të verdhin 


21′ Keidi Bare futet brenda zonës, pas një kontakti me mbrojtësin kundërshtar kërkon 11-metërsh, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari, i cili vazhdon lojën.

12' Ndëshkohet me karton të verdhe dhe Memushaj. 

7' Tension në fushë, Bare acarohet me kundërshtarin dhe ndëshkohet me të verdhë. Karton i verdhë edhe për Demiral.


4' Nxirret kartoni i parë i ndeshjes. Dermaku ndal kundërshtarin me faull dhe gjyqtari i ndëshkon me karton të verdhë.

1' Nis takimi në "Sukru Saracoglu"

Formacionet zyrtare:

Turqia: Mert Gunok, Zeki Çelik, Demiral, Emre Belozoglu, Ozan Tufan, Cenk Tosun, Hakan Calhanoglu, Umut Meras, Mahmut Tekdemir, Burak Yilmaz, Kaan Aylian

Shqipëria: Strakosha, Lenjani, Veseli, Djimsiti, Bare, Gjasula, Memushaj, Manaj, Çikalleshi, Dermaku, Ismajli



EMISIONET