Tenderat publikë, të inkriminuarit dhe replikat Qeveri-PD
Të dënuarit për vepra të rënda penale do të përjashtohen të përfitojnë nga të mira publike, si tendera apo para të taksapaguesve. Në një koferencë për mediat, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj sqaroi paketën e re të ndryshimeve ligjore të miratuara në qeveri, që ka për qëllim luftën kundër kriminalitetit.
Etilda Gjonaj: "Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë të ndryshimeve ligjore që ndalon përfitimin e të mirave publike nga persona fizikë apo individë të dënuar për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin dhe terrorizmin dhe korrupsionin. Falë kësaj pakete dhe hyrjes në fuqi të masave do u ndalohet çdo lloj mundësie që kjo kategori individësh, shoqërish tregtare dhe aksionere dhe përfaqësues të tyre të përfitojnë para nga taksapaguesit shqiptarë apo të përfitojnë mbështetje financiare nga fondet publike për ushtrimin e aktivitetit të tyre fitimprurës"
Ministja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj doli në një deklaratë për median mesditën e sotme pas mbledhjes së qeverisë.
Me hyrjen në fuqi të paketës së re do të përjashtohen edhe aksionerët, administratorët apo individë të tjerë me rol vendimmarrës në këto shoqëri tregtare të cilat janë ose kanë qenë të dënuar në cilësinë e tyre individuale.
Etilda Gjonaj: "Me këtë paketë ligjore parashikohet që nuk do të mund të përfitojnë tendera publikë apo koncesion asnjë kompani që jo vetëm rezulton e dënuar si subjekt juridik por dhe në rastet kur të dënuar rezultojnë administratorët, përfaqësuesit, drejtuesit, ortakët apo aksionerët."
I njëjti ndalim do të aplikohet dhe për përfitimin e statusit të investitorit strategjik, përfitimin për lehtësira në fushën e turizmit dhe të ndihmës shtetërore.
Për nismën reagoi Partia Demokratike e cila e quajti propaganda dhe tallja me shqiptarët.
Gazment Bardhi përmes një deklarate tha se këto masa ishin parashikuar në neni 45 i Ligjit për Prokurimin Publik që në 2006, porse nuk ishin zbatuar nga Kryeministri.
"Neni 45 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton se organet shtetërore duhet të përjashtojnë nga një procedurë prokurimi çdo person për të cilin ka të dhëna se ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale. Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës ky ligj nuk u zbatua dhe tenderat, koncesionet, PPP-të ranë në duart e trafikantëve të drogës dhe personave të tjerë të përfshirë në krimin e organizuar. Të shkruash me fjalë të tjera atë që sot ekziston në ligj, është tallje me shqiptarët dhe tentativë e qartë për të marrë në mbrojtje anëtarët e krimit të organziuar që janë aktualisht nën hetim nga prokuroria për përfitime të paligjshme në tendera publikë."
PD akuzon Ramën se po merr në mbrojtje anëtarët e krimit të organziuar që janë aktualisht nën hetim nga prokuroria për përfitime të paligjshme në tendera publikë.
Gazment Bardhi: "Miku i Taulant Ballës, Edmond Bega, që ka përfituar 14 milionë euro nga punë publike, si dhe leje dhe licensa, Klement Balili, në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, ka përfituar 77 tendera, nga të cilat 30 pa garë. Edison Sali, anëtar i bandës së Agron Xhafaj, ka përfituar 12 tendera gjatë qeverisë së Edi Ramës. Këta shembuj dhe plot shembuj të tjerë janë prova se Edi Rama, i kapur në flagrancë, po bën makiazh me ligje fasadë për të fshehur të vërtetën e bashkëqeverisjes së tij me krimin dhe pasurimin e krimit me paratë e shqiptarëve."