Fishat e diabetit do të ofrohen falas edhe për studentët. Kjo ka qenë deklarata që ka bërë në ditën botërore të diabetit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave që vuajnë me diabet dhe familjeve të tyre. Personat me diabet përfitojnë falas 36 lloje barna që përbëjnë terapinë e plotë për këtë sëmundje."

Ndërsa, një tjetër lehtësi për personat me diabet, është edhe telekonsulta.

“Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë."  

Çdo vit në botë zbulohen 7 milionë raste të reja me diabet. Në Shqipëri janë të diagonstikuar rreth 75 mijë diabetikë, ndërkohë që çdo vit diagnostikohen afërsisht 4-5 mije raste reja me diabet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%.

/Ora News.tv/