Eurobarometri: Shqiptarët janë të pakënaqur

Eurobarometri: Shqiptarët janë të pakënaqur

Situata ekonomike, krimi dhe papunësia mbeten sfidat më të mëdha me të cilat përballen qytetarët shqiptarë.

Këtë tregon "Eurobarometri" i Bashkimit Europian, një sondazh që u mbajt gjatë qershorit në Shqipëri.

Situata e përgjithshme në vend mbetet e rënduar, ku 53 për qind e të intervistuarve nuk e fshehin pesimizmin.

Rezultate të këqija paraqiten edhe për rrethanat ekonomike, ku 61 për qind e personave tregojnë se është përkeqësuar ndjeshëm nga vjeshta e kaluar, sikurse edhe niveli i jetesës në vend.

Situata ekonomike shqetëson 38 për qind të të intervistuarve krahasuar me mesataren europiane prej 16 për qind, ndjekur nga problemet me sistemin e sigurimeve, kostot e jetesës dhe krimin me 18 për qind.

Pyetjes se si i perceptoni zhvillimet që po kalon Shqipëria, 57 për qind tregojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar dhe 39 për qind se po ndjek rrugën e duhur.

Për nivelin e besimit, sondazhi nxjerr se partitë politike shqiptare gëzojnë pak besim në popullsi me rezultatin 77 kundrejt 21 për qind, parlamenti, mediet, autoritetet publike dhe qeveria janë relativisht të pabesueshme, ku prirjet për këtë të fundit janë në nivelin 56 me 40 për qind.

Nga ana tjetër, konfirmohet besimi absolut në Bashkimin Europian, ku 91 për qind e të intervistuarve shprehen se anëtarësimi është i mirë për vendin, 1 për qind, mendojnë se është keq për vendin dhe 8 për qind janë dyshues.

Sondazhi që u mbajt në 34 shtete të Europës, përfshirë ato kandidate, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, tregojnë se kontinenti i vjetër ka rifituar optimizmin e humbur 5 vite më parë, janë të kënaqur me stadin e demokracisë dhe ekonomisë në BE, ndërsa renditin si sfida të ardhshme emigracionin, ndryshimet klimatike, terrorizmin dhe papunësinë.


EMISIONET