Të ardhurat nga emigrantët në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme në tre muajt e fundit.

Madje sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë prurjet e valutës në vendin tonë prej tyre kanë arritur në nivelin e vitit 2013.

Nga muaji prill deri në qershor, remitancat shkuan në rreth 182 milionë euro, me rritje prej 12% krahasuar me mesataren e vitit të shkuar.

Duket se tejkalimi i krizës në Eurozonë ka bërë që emigrantët tu rikthehen ndihmave për familjet e tyre.

Por po ashtu efekt pozitiv po jep dhe numri i lartë i shqiptarëve që po largohen nga vendi duke emigruar në Gjermani por dhe në shtete të tjera të BE apo SHBA dhe Kanada.

Po ashtu tre mujorin e dytë të këtij viti është regjistruar një fluks më i lartë i turistëve por dhe i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit.

Lëvizjet kanë sjellë një efekt pozitiv në buxhetin e shtetit me një shifër prej 93 mln eurosh, ku llogariten paratë e dala dhe ato që janë shpenzuar në vend.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë konstatohet se gjatë periudhës prill-qershor, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 454 milionë euro.

Rritja vjetore e të ardhurave u ndikua nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj me rreth 8%.

Por shumë shqiptarë kanë zgjedhur gjithashtu që të kalojnë pushimet jashtë vendit.

Udhëtarët rezidentë shqiptarë dhe të huaj kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 370 milionë euro.

Nëse bëjmë një llogari në 6 muajt e parë  të vitit shpenzimet e turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë llogariten të arrijnë në 785 mln euro, duke pësuar një rritje të ndjeshme në krahasim me vitet e shkuara.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018 kanë qenë polakët, kroatët që kanë shënuar rritje të ndjeshme por nuk kanë mbetur pas as turistët perëndimorë.




/Ora News.tv/