Eliminimi nga Kupa, Maradona akuza gjyqtarit: Ke harruar rregullat

Eliminimi nga Kupa, Maradona akuza gjyqtarit: Ke harruar rregullat

Pas fitores në debutim, skuadra e drejtuar nga Diego Armando Maradona, Dorados e Sinaloa ka pësuar humbjen e dytë radhazi, madje duke u eliminuar edhe nga Kupa e Meksikës. Një episod që nuk është pritur aspak mirë nga legjenda e kombëtares argjentinase, me "Pibe de Oro" që ka akuzuar haptazi gjyqtarin e ndeshjen për favorizim të skuadrës kundërshtare.

"Arbitri nuk mund të japë një goditje të lirë nga skaji i zonës për një lojtar i cili i ekzekuton ato bukur. Ai i njihte mirë cilësitë e tij ashtu sikurse ne, por që nuk ia arritën ta ndalnim"-tha trajneri argjentinas në lidhje me goditjen fituese të Camilo Sanvezzo.

Ky nuk është sulmi i parë i Maradonës për një arbitër, pasi një skenë e ngjashme ka ndodhur edhe disa ditë më parë, pas ndeshjes Alebrijes de Oaxaca-Dorados, e mbyllur në favor të Oaxaca.

"Nuk më pëlqen të flas për gjyqtarët por një tjetër gjyqtar ishte i nevojshëm për këtë ndeshje sepse dy ekipet luajtën në mënyrë barbare. Dikush duhej t'i kontrollonte ato dhe të mbante qetësi. Arbitri nuk ka zbatuar kurrë rregullat ".-deklaroi Maradona asokohe.

Maradona është një njeri mjaft i njohur për bëmat e tij, të cilat shpesh kanë pushtuar faqet e para të gazetave botërore.

EMISIONET