Eksportet ende mbahen në këmbë

Eksportet ende mbahen në këmbë

Eksportet ende mbahen në këmbë, pavarësisht pikiatës së fortë të euros, monedhë në të cilën kryhet ky aktivitet. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e fundit për tregtinë e jashtme, ku konstatohet rritje e eksporteve gjatë 4 muajve të parë të këtij viti. Por në prill, ritmi i rritjes është ngadalësuar dhe arsyeja është pikërisht ecuria e kursit të këmbimit. Ndryshime ka edhe në gjeografinë e shkëmbimeve tregtare, ku eksportuesit po preferojnë më shumë tregjet evropiane, si Spanja e Gjermania e më pak ato të rajonit, si Kosovë e Maqedoni.

Pavarësisht rënies së euros që po penalizon jo pak eksportet shqiptare, ky zë ende po jep një kontribut pozitiv në ekonomi, duke qenë një ndër gjeneruesit e rritjes së saj. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në 4 muajt e parë të këtij viti, eksportet e mallrave arritën vlerën 101 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 16.8 %, krahasuar me një vit më parë.

Por duke analizuar të gjithë muajt rezulton se ritmi i rritjes së eksporteve është ngadalësuar, duke reflektuar rënien e të ardhurave si rrjedhojë e dobësimit të fortë të euros, monedha kryesore me të cilën ne realizojmë këtë aktivitet.  Sipas INSTAT-it, në muajin prill eksportet u rritën me 11.2%, që është ritmi më i ulët i muajve të parë të 2018-s. Në janar, rritja e eksporteve me bazë vjetore ishte 23.6%, në shkurt 18.7% dhe në mars me 14.5%.

Ngadalësimi i ritmit të rritjes së eksporteve, si pasojë e ndikimit të zhvlerësimit të euros pritet të ndihet më shumë gjatë muajit prill, ku pikiata e monedhës evropiane ka qenë edhe më e fortë.

Ndërkaq të dhënat e INSTAT nxjerrin në pah edhe një tjetër dukuri që ka të bëjë me gjeografinë e tregtisë. Gjatë 4 mujorit të parë të këtij viti, eksportet janë rritur me tregjet evropiane, ndërsa janë ulur me ato të rajonit.

Sipas statistikave, eksportet janë rritur me italinë, spanjën dhe gjermaninë, ndërsa janë reduktuar me Kosovën, Maqedoninë si partnerë  në rajon, por edhe me Kinën.

EMISIONET