Ekspertë të ekonomisë i shohin me shqetësim problematikat e ngritura në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ekonominë shqiptare. Adrian Civici si dhe Enriko Ceko shprehen se një raport i tillë ndikon direkt në thithjen e investimeve të huaja. Ata sugjerojnë që të merren masa për të ofruar më shumë siguri ligjore por edhe stabilitet politik.

Korrupsioni dhe klientelizmi po dëmtojnë rëndë ekonominë shqiptare. Këto janë dy nga problematikat më të mëdha në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të cilat sipas ekspertëve pasqyrojnë një situatë të rënduar të gjendjes ku ndodhet ekonomia.

Adrian Civici argumenton se projektet PPP po rrezikojnë stabilitetin financiar në vend.

Civici: Në një vend me nivel të lartë korrupsioni dhe klientelizmi shifrat tregonin që ishin në nivel më të lartë edhe në raport me vendet e Ballkanit ose Evropës Juglindore. Së treti kishte të bëntë me stabilitetin e financave publike të lidhur sidomos me vendimet për PPP, të cilat pavarësisht efektve pozitive si investime në përmirësimin e infrastrukturës apo rritjes ekonomike, nga ana tjetër po fillojnë të tregojnë probleme në lidhje me stabilitetin e financave publike.

Ndërkohë Enriko Ceko e lidh këtë situatë me miratimin e ligjeve klienteliste nga qeveria.

Ceko: Janë ligje të bërë për klientë të caktuar të qeverisë për përfitime të drejtpërdrejta dhe jo ligje që krijojnë një kilmë të mirë bashkëpuinimi mes biznesit dhe qeverisë. 

Raporti i DASH shihet si një pengesë edhe në thithjen e investimeve të huaja. Adrian Civici shprehet se përtej të gjithave këtë gjendje e rëndon edhe destabiliteti politk

Civici: Konfliktualiteti politike dhe mungesa e studimeve strategjike që ne të kemi një plan të zhvillimit strategjik afatgjatë, në bazë të të cilit vijnë investimet e huaja apo edhe të brendshme apo edhe financimet publike. Mendoj që të dyja bashkë një investitori të huaj ja bëjnë më të vështirë një investim në Shqipëri në këto momente. 

Për Enriko Cekon Shqipëria duhet të ofrojë siguri si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë politik për të thithur më shumë investitorë.

Ceko: Një biznes do që të ketë siguri politike, ekonomike, sociale. Duke pasur këto siguri ai pastaj fillon bën investim, edhe nëse nuk ka para merr kredi dhe e vazhdon biznesin. Por në këto kushte është shumë e vështirë që të bësh biznes. 

Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje vetëm me 2.21 % në tremujorin e parë të 2019 një nivel ky ndër më të ultin që prej 2015.

/Ora News.tv/