Drejtori i ALUIZNI-t Berat jep legalizimin por Rama e shkarkon
“Kam 5 vjet që kam bërë legalizimin, kam paguar lekët dhe çertifikatën nuk ma kanë dhënë akoma. Hajde-ik, sorollatu, njëherë të përplasin dyert, njëherë ti mbyllin” denoncoi e moshuara në Berat.
Ka mjaftuar kjo ankesë publike që kryeministri Rama të vendoste shkarkimin e kreut të ALUIZNI-t në Berat pa u mbushur ende 24 orë nga dëgjesa publike në këtë qytet.
Rama: Nesër të lutem shumë, jo pasnesër, nesër.
Drejtori i ALUIZNI-t: Ok.
Rama: Jepi lejen në dorë.
Përmes një shënimi të gjatë në fb, kreu i qeverisë njoftoi se Drejtori ja kreu sot në mëngjes legalizimin gruas së moshuar, sipas porosisë që Kryeministri i kishte dhënë një ditë më parë.
Drejtori i ALUIZNI-t: Unë e di që është në proçesin e zgjidhjes. Nëna tha sot se e ka çuar në gjykatë, nuk e kam këtë informacion. Di që nëna është në proçesin e zgjidhjes.
Arsyetimin se përse vendosi shkarkimin e Drejtorit, Rama e shoqëron me videon e ankesës së të moshuarës dhe shënimin sipas të cilit kreu i qeverisë shtron një pyetje:
Rama: Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë ta ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t'i dorëzonte lejen e legalizimit?! Nuk e di, po nuk është çudi që më parë të ikte nga kjo botë se sa të merrte lejen.
Atëherë, ky drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve (në rastin më të mirë) dhe grabitqarëve (në rastin më të keq), si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës!
Drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s'mund të jetë. Kjo është fare e qartë.
Kryeministri shprehet i bindur se do të ndërtojë me qytetarët koalicionin e madh përmes platformës së bashkëqeverisjes e cila do të jetë online sapo të miratohet qeveria e re.
Sipas Ramës, sa më shumë të regjistrohen në aleancën “Për Shqipërionë që duam” aq më e madhe do të jetë e drejta njerëzore që do të kapë dhe nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm.
Lexo më shumë: Rama bën për “dush të ftohtë” drejtorin e ALUIZNI-t Berat
[caption id="attachment_1047421" align="alignnone" width="413"] Drejtori i ALUIZNI-t Berat[/caption]
/Oranews.tv/