Edhe një i mllefosur më shumë

Edhe një i mllefosur më shumë

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë shfaqi mllefin dhe mungesën e përsëritur të ndjeshmërisë për Kosovën

1. Nëse do gjykuar prej deklaratave publike, vizita e kryeministrit të  Shqipërisë bërë Kosovës kishte për qëllim që t’i shprehet përkrahja  Kosovës nëpërmjet shprehjes së mllefit për një deklaratë shtypi të  prokurorit të Gjykatës Speciale, me të cilën u bë njoftimi se që nga  prilli janë ngritur aktakuzat ndaj H.Thaçit dhe K.Veselit, se ato janë  në verifikim e sipër te gjykatësi përkatës dhe se ky njoftim bëhet për  shkak se dy të apostrofuarit po punojnë për zhbërjen apo bllokimin e  Gjykatës Speciale.

Nuk besoj që në Kosovë këto ditë ka pasur nevojë për shprehje shtesë  të mllefit. Është shumë i madh numri i njerëzve të mllefosur, për shkak  se njëzet e një vjet pas luftës në opinionin publik botëror fillohet të  flitet për krimet e supozuara të guerilëve shqiptarë karshi një  gjendjeje në Serbi, ku tashmë janë rehabilituar që të gjithë kriminelët e  luftës dhe është e përfaqësuar në shumicë politike ideologjia  serbomadhe që solli këto krime. Është shumë i madh numri i njerëzve që  janë të mllefosur me mungesë të sundimit të ligjit. Është numër shumë i  madh i njerëzve që ende nuk dinë për fatin e të afërmve të tyre të  zhdukur, dhe është shumë i madh numri i njerëzve, familjarë të viktimave  të ekzekutimeve të pasluftës, që presin drejtësi. Është numër  jashtëzakonisht i madh i njerëzve që kanë kaluar prej një krize në  tjetrën në këta tridhjetë vjet okupimi të Serbisë, rezistencës paqësore  ndaj këtij okupimi e pastaj edhe të armatosur, çlirimit, lindjes së  dhimbshme të shtetit dhe kapjes së tij...

 

Edhe një i mllefosur që vjen nga jashtë nuk do të ndryshojë gjë në  ndjenjën e përgjithshme të mllefit. Madje as nëse ky i mllefosur shtesë  është kryeministri i Shqipërisë.

Problemi është se funksioni i kryeministrit të Shqipërisë nuk është  të shprehë ndjenjat e veta –të mllefit ndaj gjykatave e prokurorëve apo  të dashurisë ndaj personave të caktuar të historisë apo bashkëkohësisë  kosovare.

Funksioni i tij është që nëpërmjet shprehjes së solidaritetit të  përpiqet, qoftë edhe me prani fizike, të ndihmojë në një krizë të rëndë  me të cilën do të ballafaqohet Kosova për disa vjet me radhë.

 

2. Nuk jam i sigurt që kryeministri i Shqipërisë i ka ndihmuar Kosovës, e as vetes.

Mllefi, zhgënjimi dhe hidhërimi që ka shprehur janë autentikë dhe të dukshëm e të kuptueshëm për këdo.

 

Këtë e manifestoi me fjali të thjeshtë: “Në Prishtinë për të dëgjuar  dhe mësuar më shumë pas fletërrufesë speciale, që do të hyjë si njollë  turpi në historinë botërore të drejtësisë, që praktikën e akuzës publike  pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve  ideologjike".

Të shprehura nga një individ, këto do të ishin një fjali shtesë e një  njeriu të edukuar në vorbullën e madhe të pakënaqësisë kosovare. Por  nga kryeministri i Shqipërisë këto janë vlerësime politike për një  segment të ndjeshëm të Kosovës, e të shqiptarëve në përgjithësi, të  sundimit të ligjit. Nëse kryeministri i Shqipërisë mendon se deklarata  për shtyp e prokurorit special është si një fletërrufe kineze e kohës së  Enver Hoxhës dhe se është një njollë turpi në historinë e drejtësisë,  atëherë më e pakta që duhet të nxjerrin si konstatim kosovarët është se  duhet të rezistojnë. Pra, duhet të ngrihen kundër një prokurori amerikan  që është i kallëpit të Enver Hoxhës dhe duhet të ngrihen kundër kësaj  “njolle turpi në historinë botërore të padrejtësisë”. Nuk do të ishte  hera e parë që kosovarët do të ngriheshin kundër padrejtësive - në fakt  do të ishte pjesë e traditës tashmë.

Konsekuenca logjike atëherë do të ishte që Kuvendi i Kosovës ta  zhbënte Gjykatën Speciale, si një instrument ideologjik që i ngjason  atij të Enver Hoxhës. Këtë, së paku formalisht, do të mund ta bënte duke  e ndryshuar Kushtetutën e Kosovës, me dy të tretat e votave. Kur një  gjë u provua një herë para disa vjetësh, ambasadorët, amerikan dhe  britanik, u bllokuan në Kuvend për të mos e lejuar, dhe duke bërë me  dije publikisht se Kosova po ua fut thikën pas shpine.

 

3. Mllefi nuk është udhëzim politik. Kryeministri i Shqipërisë, pasi  përmbushi nevojën e zbrazjes së mllefit, u kthye në Shqipëri. Me pasojat  e mllefit të vet duhet të jetojnë kosovarët, të cilët po ashtu ndiejnë  se po u bëhet padrejtësi, por kanë vesh e sy e mend për të kuptuar se  është momenti më i keq i mundshëm për shfuqizimin e Speciales ky, kur  tashmë është paralajmëruar një aktakuzë e mundshme dhe ajo nuk është e  pëlqyeshme për liderët politikë. Nuk ndihmon gjë t’i frysh zjarrit të  animozitetit të Gjykatës Speciale, të largohesh e pastaj të shikosh se  si kosovarët merren jo vetëm me Gjykatën Speciale, por edhe me  hiperinjektimin emocional të kryeministrit të Shqipërisë.

Për dallim prej kryeministrit të Shqipërisë, presidenti i Kosovës dha  një mesazh të cilin Kosova e jep prej kohësh, e në kushte sfidash të  përhershme, se do ta respektojë vendimin e Gjykatës nëse ngre aktakuzë,  dhe se do të japë dorëheqje.

 

Në të kthyer në Shqipëri, në një analizë të esëllt, kryeministri mund  të kuptojë se po zhvillon një shpërputhje standardesh ndaj sundimit të  ligjit. Në atë që e ka quajtur “beteja për reformën në drejtësi” si do  të tingëllonte që çfarëdo që nuk do t’i pëlqente nga deklarimi i një  prokurori a një gjykatësi menjëherë të cilësohej si “njollë”, si  fletërrufe e si dëm ndaj shqiptarisë gjithandej?

4. Nga kryeministri i Shqipërisë ka pasur iniciativa, dëshirë,  dashamirësi dhe energji për ta ndihmuar Kosovën. Problemi ka qenë masa e  drejtimi. Në mungesë të masës e drejtimit, kryeministri ka investuar  emocionet e veta si politikëbërje. Në tre vjetët e fundit kryeministri  nuk ka pasur ndjeshmëri të mjaftueshme për të mos u përfshirë në planin e  dëmshëm për këmbim territoresh Serbi-Kosovë. Dhe nuk ka pasur  ndjeshmëri të mjaftueshme për t’u ngutur në projektin “mini-Shengen” pa  përfillur brishtësinë politike në Kosovë. Në një konflikt të  papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë, nevojat e Shqipërisë për t’u  konsultuar e dakorduar me Kosovën janë më të mëdha se ato për t’u  konsultuar e dakorduar me Serbinë.

 

Ndoshta kjo ndjeshmëri u përsërit edhe kësaj here në Prishtinë.  Kryeministri, pos shprehjes së mllefit, kërkoi unitet të forcave  politike të Kosovës, por, pos mllefit, nuk shpjegoi se rreth çkasë duhet  të bashkoheshin. Dhe aq më pak se si duhet ta kuptojnë këtë thirrje nga  kryeministri, i cili paditi për shpifje ish-kolegun e tij kosovar në  gjykatën e Kosovës. Të përbashkuar rreth gjykatave?

5. Kosova s’do mend se do të ketë nevojë për shumë konsultime mes palëve  politike brenda vendit, dhe s’do mend se do të ketë nevojë për  konsultime me partnerë të afërt si Shqipëria. Konsulta do të duhej të  prodhonte politika për tejkalimin e kësaj sfide, duke ruajtur interesat e  Kosovës. Nuk i hyjnë fare në punë këtij objektivi as mllefi e as  brohoritjet për historinë e lavdishme, as për pastërti lufte;  teatraliteti i shfryrjes mund të bëjë lajm e batutë, por këto konsumohen  brenda ditës.

 

Tash Kosova po hyn në një periudhë të re disavjeçare me sfida të cilat nuk i ka parë më herët.

EMISIONET