Tre persona mbetën të plagosur në Burrel e Fushë Krujë në përleshje me thika. Dy vëllezër u sulmuan me thika nga tre persona të tjerë, në qytetin verilindor, ndërsa në Fushë Krujë një 16 vjeçar plagosi të vëllanë.

Dy vëllezër mbetën të plagosur në Burrel pasi një konflikt mes të rinjsh përfundoi me përdorimin e thikave.

Ngjarja u regjistrua në një prej rrugëve kryesore të qytetit ku të rinjtë sipas policisë u përfshinë në debat për motive të dobëta.

Të plagosur mbetën dy vëllezër përkatësisht 22 dhe 25 vjeç nga fshati Shelli i Matit.

Ndërsa autorët janë tre persona, një nga të cilët u arrestua, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

Dy vëllezërit e plagosur u dërguan në spitalin lokal, ku sipas burimeve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa një adoleshent është vënë në pranga pasi plagosi me thikë vëllanë e tij.

Ngjarja ndodhi në Luz të Fushë Krujës.

Sipas policisë 16 vjeçari me iniciale O.O pas një konflikti të momentit sulmoi me thikë vëllanë 22 vjeçar.

Ky i fundit është dërguar për ndihmë mjekësore.

Në Lezhë ndërkohë dy vëllezër u arrestuan pasi shpërndanin lëndë narkotike në qytet në doza të vogla.

Policia lokale thotë se kishte informacion për veprimtarinë e dy të rinjve ndaj zhvilloi operacionin.

Si rezultat i kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 37 doza të vogla, gati për shitje si dhe një sasi lekësh të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

/Ora News.tv/