Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit organizoi një tjetër protestë pasi policia e rendit është parë duke rrethuar zonën ku ndodhej Teatri Kombëtar.

Artistët paralajmëruan kryeministrin Edi Rama se nuk do ta lejojnë ndërtimin e godinës së re sipas planeve të qeverisë.

Aleanca do të ketë ndalesën e radhës në Shkodër, ku do tu kërkohet qytetarëve të firmosin peticionin, që kërkon rindërtimin e godinës sic ishte dhe në zonën ku ka qenë.

Më herët artistët dhe anëtarët e shoqërisë civile në mbrojtje të Teatrit protestuan në Durrës, ku sipas Ervin Gocit u mblodhën mbi 600 qytetarë.

Pas tubimit të mbajtur në qytetin bregdetar, policia ka proceduar organizatorët e protestës Robert Budina dhe Ferdinand Xhaferrin.  

Ora 20:42 Budina i përgjigjet Ramës: Rrugaç, mos bëni kalkulime politike. Njerëzit do t'i sjellim para kryeministrisë

Regjisori Robert Budina iu përgjigj kryeministrit Rama, i cili një ditë më parë tha se nga protesta për teatrin do të dalë një lëvizje politike. Duke e etiketuar Ramën si "rrugaç", Budina e paralajmëroi se njerëzit do t'ia sjellin përpara kryeministrisë. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protesta.

Ora 20:30 Pedagogu Goci: Mos lejohet puna te Teatri ose do ketë përplasje civile

Pedagogu Ervin Goci në fjalën e tij në protestën para pedonales tha se kërkojnë konsensus popullor për tu përgatitur për një protestë madhështore në emër të teatrit dhe republikës.

Ervin Goca: Sot në një orë u mblodhëm kaq veta. Imagjinoni në një fushatë të mirëfilltë që do bëjmë. Nesër jemi në Shkodër, do shkojmë me peticionin i cili ka në kokë rindërtimin e teatrit dhe rindërtimin e republikës sonë tek themelet e atij teatri që do ndërtohet siç ka qenë aty ku ka qenë.  Ne nuk kemi në dorë vendimmarrje, por kërkojmë konsensus popullor. Këtë konsensus popullor do ta kërkojmë edhe në qytetet e tjera dhe po  përgatitemi për një tubim madhështor që do jetë ne emër të teatrit dhe republikës. Kjo është filozofia e sheshit, filozofia nuk është të futesh në vrima. Unë i kërkoj sot SPAK që të veprojë urgjent dhe mos lenë të bëjë centimetrin e punës sepse kjo do të shkaktojë përplasje civile.

Ora 20:08 U dhunua nga policia, Alfred Lela tregon në Ora News: Ja pse i hoqa pantallonat përpara kryeministrit

Gazetari dhe analisti, Alfred Lela ishte një nga të dhunuarit e policisë në 17 maj, kur u shemb Teatri Kombëtar. Një ditë më parë përballë kryeministrit Rama, në shenjë revolte Lela hoqi pantallonat për t'i treguar kreut të qeverisë dhunën që policia kishte ushtruar.

Ora 20:05 Kikia: Reagimi i policisë gjatë protestës për teatrin i ekzagjeruar, qytetarët po ushtronin të drejtat e tyre

Në studion e lajmeve në Ora News, gazetari Mentor Kikia, tha se reagimi i policisë gjatë protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar ishte i ekzagjeruar. Sipas tij, qytetarët po ushtronin detyrat e tyre që ia njeh kushtetuta dhe ligji.

Ora 19: 33 Shembja e Teatrit, Kapexhiu: Egërsira që sulen drejt njerëzve, ideja e Ramës për ta ndërtuar diku tjetër perversitet

I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Kapexhiu u shpreh se për prishjen e Teatrit duhet të ishin konsultuar me artistët edhe me atë që ishin pro edhe me ata që ishin kundër dhe më pas të vendosej.

Në Durrës firmoset peticioni

Ndërkohë në Durrës qytetarët nënshkruan peticionin ku kërkohet rindërtimi i Teatrit Kombëtar aty ku ishte dhe siç ishte.

Budina nga Durrësi: Ngrini kokën, të bashkohemi që presidenti të shpërndajë Parlamentin



/Ora News.tv/