Dunga "sfidon" sulmuesit: Luaj pa problem përkrah Ngoo

Dunga "sfidon" sulmuesit: Luaj pa problem përkrah Ngoo

Përkrah trajnerit, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Bylisit doli edhe sulmuesi i Tiranës, Ismael Dunga.

Në fjalën e tij, bomberi i bardhebluve u shpreh se shënimi i golit e bën të ndihet mirë, ndërsa nuk përjashtoi që në të ardhmen të luaj së bashku me Ngoo në repartin e sulmit.

GOLI – “Sigurisht, ndihem shumë mirë që luaj dhe shënoj. Si sulmues, objektivi im është të shënoj gola, ajo është puna ime. Prandaj jam i lumtur për këtë gjë. Nuk është e vështirë, pasi jemi një skuadër me 25 lojtarë. Tirana është një ekip i mirë dhe çdo lojtar është shumë cilësor. Nëse të jepet një shans, duhet ta shfrytëzosh, kjo është një gjë normale”.

TRAJNERI – “Kam folur me trajnerin çdo ditë në stërvitje, është normale për mua që të flas gjithmonë me trajnerin. Me Ngoo në sulm? Çdo gjë është e mundur në futboll. Ashtu siç tha dhe trajneri, ekipi përshtatet në çdo ndeshje. Vendimet i merr trajneri, puna jonë është të luajmë dhe të japim maksimumin”.

TRANSFERIMI – “Këtu në Tiranë jam shumë i lumtur, prandaj vendosa të transferohem këtu. Tirana është një ekip i madh siç e thashë dhe më parë, ka shumë lojtarë të shkëlqyer”.

DIFERENCAT – “Nuk mund të krahasohet Tirana me Luftëtarin, skuadër me të cilën luajta sezonin e shkuar. Ndryshimi është se Luftëtari lufton për mbijetesë, ndërsa Tirana lufton për titullin kampion. Ky është objektivi ynë dhe mundohemi të fitojmë të gjitha ndeshjet”.

OBJEKTIVI – “I marrim ndeshjet me radhë. Fokusi ynë është të fitojmë kampionatin, kështu që do të luftojmë fort në çdo ndeshje. Tirana apo Gjirokastra? Çdo qytet në Shqipëri është i mirë”, përfundoi Dunga.

Sfida mes Bylisit dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 9-të të Superligës shqiptare do të luhet nesër, duke nisur nga ora 13:00. Pas 8 takimeve të para, kryeqytetasit numërojnë 14 pikë në vendin e dytë, një më shumë se ballshiotët që pozicionohen në vendin e katërt.

EMISIONET