Partia Demokratike është shprehur se djegia e makinës së kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Lelit në pronësi të Bashkisë, është tregues se Rama është bërë njësh me krimin.

"Në Vlorë po vepron krimi i organizuar që Edi Rama i ka dhënë pushtet, për arsyen e vetme se është krimi i organizuar që financon fushatën e Partisë Socialiste dhe që e ndihmon Edi Ramën të blejë vota e të vjedhë zgjedhjet. Tani, krimi kërkon akoma më shumë zgjerim, kërkon të blejë pasuri të patundshme, të pastrojë paratë e pista dhe nuk ndalet përpara asgjëje,"-tha ish-deputeti i PD, Flamur Noka në një deklaratë për mediat.

Noka shtoi se bëhet fjalë për një luftë mes bandave.

Flamur Noka: "E vërteta është se kjo është një luftë mes bandave. Bashkë me vrasjet, rrëmbimet dhe kërcënimet mafioze, gjendja është njësoj e rëndë në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Durrës, Fier dhe Elbasan. Krimi i organizuar me trafikantë ndërkombëtare droge, ka në dorë gjithçka. Ai ka në dorë edhe kryeministrin e vendit, i cili akuzon prokurorët se bashkëpunojnë me bandat, por nuk çon përpara drejtësisë as prokurorët, as bandat, megjithëse ka nën urdhra policinë, shërbimin informativ dhe vetë drejtësinë."

Ndërsa akuzoi Rama si shkaktar të fuqisë që sipas tij ka krimi i organizuar sot në Shqipëri.

Flamur Noka: "Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot në Shqipëri dhe jashtë saj, prandaj vendi ynë ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri peng i krimit."

/Ora News.tv/