Muzeu i Fotografisë Marubi çeli siparin e aktiviteteve në kuadër të Ditëve Europiane të Trashgimisë. Në fokus janë fëmijët që mbi bazë të lojërave dhe personazheve u njohën me traditat që kanë formësuar identitetin Europian të Shqipërisë.

“Ditët europiane të Trashegimisë” në Shkoder nisën në një formë të veçantë në muzeun e fotografisë “Marubi”.

Protagonistë ishin fëmijët që u bënë pjesë e punëtorisë “Mos u nxeh”, një nga lojrat e njohura prej të gjithëve.

Mbi imazhet që identifikojnë trashëgiminë kulturore të kryeqendrës së veriut, fëmijët gjurmuan mes ndërtesave, ngjarjeve, personazheve, gjëagjëzave, poezive e këngëve në një rrugëtim plot të papritura e entuaziazëm në kujtesën historike të qytetit.

“Art dhe Zbavitje” është tematika e këtij viti që kërkon të na rikthejë në traditat më të hershme të argëtimit që kanë formësuar identitetin tonë europian, thotë drejtori i muzeut Luçian Bedeni.

Luçian Bedeni: Duke qenë se tema e këtij viti është "Arti dhe Zbavitja" ne e filluam me një punëtori, me një lojë që është nga më të famshmet dhe më të zellshmet edhe për institucione më të rëndësishme të trashgimisë Europiane, siç është "Mos u Nxeh".

Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore, një iniciativë e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian, festohen nga miliona qytetarë europianë me një kalendar eventesh në përputhje me tematikën e përzgjedhur çdo vit.

/Ora News.tv/