Dështimi në parandalimin e përmbytjeve në Kurbin ishte në qendër të diskutimit të shtabit të emergjencës në Lezhë në prag të stinës së reshjeve. Nënkryetari aktual i bashkisë fajësoi paraardhësit duke thënë se aty atje është punuar vetëm kur ka rënë shi, por më pas nuk janë marrë masa. Ndërsa ndërtimet mbi kolektorë pengojnë ndërhyrjen e plotë.

Ndërhyrjet antipërmbytje në zonën Kurbinit janë  nisur dhe lënë përgjysmë në vazhdimësi nga drejtuesit vendorë ndër vite.

Në takimin e komisionit të emergjencave në Lezhë, nënkryetari Gëzim Dika akuzoi se në Kurbin është punuar vetëm kur bie shi, ndaj edhe përballen për përmbytje të vazhdueshme

Gëzim Dika: Të gjitha objektet që i keni filluar i keni lënë përgjysmë, asnjë kanal nuk e keni çuar deri në fund. Edhe kanalin që vjen nga Mamurrasi në drejtim të Gjormit, edhe kanalin e parë kryesor që është në Laç, edhe kanalin tjetër në Fushë Kuqe e keni lënë përgjysmë. Tek ne punohet kur bie shi.

Drejtor i Ujitjes dhe Kullimit për rajonin e veriut Ndue Preka thotë se ndërtimet pranë kolektorëve janë bërë pengese për ndërhyrje.

Ndue Preka: Unë një problem kam me dy bashkitë, kërkoj bashkëpunimin e tyre që të na eliminojnë pengesat ligjore në sistem. Është një pengesë shumë serioze sidomos për Kurbinin.

Rasti i fundit i përmbytjeve ishte vetëm pak javë më parë, që sipas prefektit Gjok Jaku ka lënë pas dëmë kolosale

Gjok Jaku: Po ti hyjmë historisë së llogaritjes së dëmit postpërmbytjeve shkon në disa miliona euro ndoshta.

Gjatë këtij takimi u kërkua angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, që të jenë në gatishmëri për t'ju paraprirë situatave emergjente që mund të krijohen gjatë këtij dimri në territorin e qarkut Lezhë.

/Ora News.tv/